BERZH: Problemet e biznesit janë energjia, korrupsioni dhe informaliteti

09/04/2015 00:00

Një studim i Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim ka gjetur se tre pengesat kryesore të biznesit në Shqipëri janë energjia elektrike, informaliteti dhe korrupsioni.

Vrojtimi për klimën e biznesit dhe performancën e ndërmarrjeve, që i përket periudhës 2013-2014, thotë se kompanitë shqiptare humbasin mesatarisht 7.7% të të ardhurave nga ndërprerjet e energjisë elektrike. Edhe pse krahasuar me vitin 2007 ky tregues është përgjysmuar, ai mbetet dukshëm më i lartë se humbjet që pësojnë firmat në vendet e tjera të rajonit nga ndërprerjet e energjisë.

Pas këtij treguesi, pengesa e dytë më e madhe është informaliteti. Sipas BERZH-it, 40.2% e firmave shqiptare thonë se konkurrohen në mënyrë të pandershme nga biznese informale. Megjithatë, ky tregues, sipas BERZH-it, në Shqipëri është më pozitiv se në vendet e tjera, ku firmat që ankohen për informalitetin përbëjnë 48.6% të totalit.
 
Ndërsa, sa i përket korrupsionit, BERZH-i thotë se ai ka dalë problemi i tretë për biznesin në Shqipëri, duke zënë vendin e paqendrueshmërisë politike.

Sipas vrojtimit, ndërmarrjet në Shqipëri paguajnë 1.5% të vlerës së kontratës në formë ryshfeti për të marrë tendera nga qeveria. Krahasuar me vitin 2007, treguesi është ulur disa herë, por ai mbetet më i lartë se vendet e tjera, ku është vetëm 1%.

Top Channel