Miqësore yjesh Shqipëri-Gjermani, ndeshja do të luhet më 7 maj, në “Elbasan Arena”

09/04/2015 00:00

Situatës pozitive që po kalon futbolli dhe kryesisht përfaqësuesja shqiptare, i shtohet si një qershi mbi tortë një miqësore luksi yjesh. Kryetari i Grupit Parlamentar të Miqësisë Shqipëri-Gjermani, Taulant Balla, ka arritur marrëveshjen e një ndeshjeje yjesh të brezave të ndryshme, nga mosha 35 deri në 60 vjeç.

Kjo përballje është planifikuar që të zhvillohet më 7 maj, në “Elbasan Arena”, pas rënies dakord edhe mes dy federatave të futbollit, asaj shqiptare dhe gjermane.

Kjo e fundit menjëherë ka vënë në dispozicion një listë me disa lojtarë të moshave dhe periudhave të ndryshme që do të jenë të pranishëm në Shqipëri për këtë ndeshje. Mes emrave më të njohur për publikun shqiptar bien në sy ish-trajneri i përfaqësueses shqiptare, Hans Peter Brigel, Feliks Magat, Lotar Mateus, Shtefan Rojter, Karl-Hainz Ridëll, Bernd Shuster, Mikael Tarnat, Rudi Fëler, Kristian Xige, Markus Babel, Mario Basler, Tomas Bertold, Fredi Bobiç, Marko Bode, Tim Borovski, Tomas Bërdariç, Guido Bukvald, Tomas Doll, Torsten Frings, Ditmar Haman, Tomas Helmer, Ulf Kirshten e të tjerë.

Ndërkohë, pritet të konfirmohet edhe lista e lojtarëve që do të përzgjedhë Federata Shqiptare e Futbollit.

Sa i përket biletave, Grupi Parlamentar i Miqësisë Shqipëri-Gjermani, ka vendosur që paratë e fituara të shkojnë për bamirësi.     

Top Channel