Irani: Nuk do të nëshkruajmë asnjë marrëveshje pa na hequr të gjitha sanksionet

09/04/2015 00:00

Në Lozanë të Zvicrës u duk se dallimet përgjithësisht ishin sheshuar, por sot Presidenti iranian Hassan Rouhani deklaroi se vendi i tij nuk do të nënshkruajë asnjë marrëveshje bërthamore me Perëndimin, nëse nuk hiqen më parë të gjitha sanksionet ndërkombëtare.

Në një fjalim televiziv me rastin e shënimit të “Ditës kombëtare të teknologjisë bërthamore”, Rouhani hodhi poshtë atë, që ai e cilësoi si përpjekje të fuqive botërore “për të përdorur gjuhën e forcës kundër Iranit”, me qëllim vulosjen e marrëveshjes.

“Marrëveshjen bërthamore, Teherani do ta firmosë vetëm ditën kur do të hiqen sanksionet. Nuk do të heqim dorë kaq lehtë nga teknologjia jonë e paqtë nukleare. Komplekset tona në Natanz do ta vazhdojnë aktivitetin e tyre. Kemi mbi një mijë centrifuga në Fordo, që nuk do ta reshtin punën. Nuk kemi për të nënshkruar asnjë ujdi, po nuk u hoqën sanksionet ekonomike”, tha Hassan Rouhani, President i Iranit.

I së njëjtës linjë u shfaq edhe lideri suprem, Ajatollah Ali Khamenei, i cili kujtoi se nuk ka garanci për një marrëveshje përfundimtare.

“Ka shumë mundësi që pala tjetër të kërkojë ta kufizojë vendin tonë në detaje. Nuk kam qenë kurrë optimist për negociatat me Amerikën, por edhe pse me ngurrim, këtyre bisedimeve u pata dhënë mbështetjen time”, tha Ali Khamenei, udhëheqës suprem i Iranit.

Irani dhe 6 fuqitë botërore arritën javën e kaluar një marrëveshje kuadër, e cila do të kufizojë programin bërthamor të Republikes Islamike në këmbim të heqjes së sanksioneve ndërkombëtare, por shumë hollësi duhet të sqarohen para 30 qershorit, kur skadon afati i paktit përfundimtar.

Ritmi i heqjes së sanksioneve mesa duket vazhdon të mbetet ngërçi më i madh, pasi Shtetet e Bashkuara e kanë bërë të qartë se, në këtë rast preferojnë një proces hap pas hapi. Qeveria amerikane dhe shumë nga aleatët e saj besojnë se, programi bërthamor i Iranit synonte prodhimin e armëve, pavarësisht këmbënguljes së Iranit që  programi ka për qëllim energjinë civile.

Top Channel