Gjykata e Apelit po zvarrit me muaj caktimin e seancës ku duhet të shqyrtohen ankesat e gjashtë shqiptarëve të dënuar nga Gjykata Themelore e Shkallës së Parë me burg në çështjen ‘Monstra’.

Avokatët kanë dorëzuar ankesat gjashtë muaj më parë, ndërsa lënda aktualisht ndodhet në Prokurorinë e Lartë. Avokati Naser Raufi thotë se Apeli po zvarrit caktimin e seancës për shkak të paralajmërimeve se nga afera e përgjimeve mund të zbulohen dëshmi të rëndësishme lidhur me rastin ‘Monstra’.

“Bisedat e përgjuara do të jenë dëshmi nëse kanë lidhje me rastin dhe do të përdoren edhe në seancën e Gjykatës së Apelit. Nga të dhënat që do të merren nga bisedat e përgjuara telefonike do të varet edhe mendimin që e jep Prokuroria për vendimin e Shkallës së Parë”, shprehet ai.

Pala mbrojtëse do të reagojë tek Këshilli Gjyqësor dhe Ministria e Drejtësisë nëse deri në muajin maj Gjykata e Apelit nuk cakton datë për mbajtjen e seancës, ku do të shqyrtohen ankesat. Avokatët janë të sigurt se Apeli do të vendosë që për rastin “Monstra” të ketë gjykim të ri, pasi sipas tyre, gjykata e shkallës i ka dënuar të akuzuarit pa asnjë provë.

“Tashmë është e qartë se gjyqsori është në influencë të madhe prej ekzekutivit, konkretisht prej qeverisë dhe mendoj që do të duhet edhe në seancën e apelit vetë trupit gjyqësor të ketë parasysh këto informata që i dëgjojmë cdo ditë nga afera e përgjimeve. Unë jam i bindur se nuk ka pasur asnjë provë që të dënohen me burg të përjtshëm gjashtë pesorna të pafajshëm”, deklaron avokati Naser Raufi.

Nëse Apeli vendos që lënda të kthehet në shkallën e parë, avokati Naser Raufi sqaron se të akuzuarit në rastin “Monstra” duhet të lirohen nga paraburgimi.

Top Channel