F1, Hamilton: Kontrata e re? Punë e mbaruar me 99%

09/04/2015 00:00

Në prag të provave të lira të Çmimit të Madh të Kinës, Lewis Hamilton ka deklaruar se me 99% do të rinovojë kontratën e tij me Mercedesin.

“Për herë të parë kam negociuar rinovimin e kontratës pa agjentin tim. Nuk e keni idenë sa herë më është dashur të lexoj 80 faqe të shkruara në zhargonin e avokatëve. U trasha, por tashmë është 99% e përfunduar”, tha me shaka kampioni në fuqi i Formulës 1.

Mendohet se kontrata e re do jetë me vlerën e 29 milionë eurove në sezon.

Ndërkohë, në fundjavë pritet dhe gara në pistën e Shangait, ku piloti britanik kërkon rikthimin te fitorja: “Objektivi është të dalim sërish përpara Ferrarit. Kjo pistë i përshtatet stilit tim të pilotimit, prandaj e dua shumë.”

Provat zyrtare të Çmimit të Madh të Kinës do të zhvillohen të shtunën në orën 09:00, ndërsa gara do të zhvillohet të dielën në orën 08:00. Të dyja këto evente do të mund t’i ndiqni drejtpërdrejtë në Top Channel.

Top Channel