Ka miliona fansa, vajzën e tij jo

09/04/2015 00:00

Bëri për vete miliona njerëz me muzikën e tij, përveç njërës, vajzën e tij.

Frances Bean Cobain, vajza e Kurt Cobain rrëfehet për revistën “Rolling Stone”.

“Nuk më pëlqen muzika e Nirvana-s. Më vjen keq, por kështu është. Më pëlqejnë më shumë Oasis”, thotë ajo.

Frances ishte vetëm 20 muajshe kur babai i saj kreu vetëvrasje dhe për këtë, Frances, sot 22 vjeç ka një shpjegim.

“Kurt mbërriti në një pikë ku i duhej të sakrifikonte gjithçka nga vetja, nga jeta e tij për artin sepse bota, fansat ja kërkonin. Mendoj që kjo është arsyeja kryesore se përse ai ‘u lodh’ dhe humbi dëshirën për të jetuar dhe mendoi se mbase kështu të gjithë do të ndjeheshin më të lumtur”, thotë Frances.

“Në të vërtetë, shton ajo, nëse do të kishte jetuar unë sot do të kisha një baba dhe kjo do të ishte e mrekullueshme për mua”.

22-vjeçarja flet edhe për marrëdhënien mes dy prindërve të saj. “E di që marrëdhënia e tyre ishte ‘toksike’ dhe lindja ime nuk është se i rregulloi gjërat. Për këtë më lindën, për të sheshuar mosmarrëveshjet e tyre”, thotë ajo.

Megjithatë, Frances thotë se asnjëherë nuk ka dyshuar tek dashuria e të atit për të. “E di prej videove dhe letrave që më ka lënë…im atë më donte”.

Kujtimet e të atit e kanë shoqëruar në gjithë vitet e jetës së vet dhe Frances është mësuar tashmë me këtë fakt.

“Isha 15 vjeç kur kuptova që nuk mund t’i arratisesha. Edhe në makinë kur ndizja radion dëgjoja tim atë. Ai është më i madh se jeta. Njerëzit janë të fiksuar pas muzikës së njerëzve të vdekur dhe i ngrenë ata në piedestal…sikur Kurt nuk ishte ai djalë që braktisi familjen e tij në mënyrën më të tmerrshme të mundshme” – rrëfen ajo.

Kurt Cobain u vetëvra më 5 Prill të vitit 1994. Frances është vajza e tij nga lidhja me Courtney Love.

FOTO GALERI
1/3
Frances Cobain

Top Channel