Cili është vendi ideal për të punuar?

09/04/2015 00:00

Keni dëgjuar ndonjëherë për ekzistencën e disa shteteve ku punonjësi, në ndërtim apo në zyrë qoftë trajtohet njësoj? Ku të dielën nuk punon kurrë dhe në raste sëmundjeje, lindjeje, fatkeqësie apo gëzimi, të drejtat e tij respektohen maksimalisht nga punëdhënësi? Ku paga më e ulët mund të jetë pagë ëndrrash në një tjetër vend? E tillë është Zvicra, e cila konsiderohet si “parajsa” e punëtorëve dhe qëndron në majën e klasifikimeve, përsa u përket të drejtave të tyre.

Një listim dhe raport i parë i mirëfilltë mbi këtë çështje u realizua në vitin 2013, nga Forumi Ekonomik Botëror. Shumë menduan se Shtetet e Bashkuara të Amerikës ishin në vend të parë…

Por në fakt, “Raporti i kapitalit njerëzor” nxori në dhjetëshen e parë shtetet e Europës së Veriut, të cilat udhëhiqen nga Zvicra, e cila mban vendin e parë.

Sipas studimit, punonjësit e saj kanë kushtet më të mira të punës, që shoqërohen edhe nga niveli i lartë i pagave. Në vend të dytë renditet Finlanda, e më pas vijnë Singapori, Holanda, Suedia, Gjermania, Norvegjia, Mbretëria e Bashkuar, Danimarka dhe Kanadaja.

E nëse kjo është dhjetëshja më e mirë, Shtetet e Bashkuara renditen në vendin e 16, ndërsa vendin e fundit e mban Jemeni.

Por, çfarë e bën Zvicrën të jetë e para?

42 orë në javë konsiderohen mjaftueshëm për një javë pune, ndërkohë që leja është 4 javë në vit, përveç ditëve zyrtare të pushimit. Për çdo katër orë shtesë duhet të nënshkruhet kontratë mes punëdhënësit dhe punëmarrësit. Orari i punës, nga e hëna në të premte, nis më 8:30 ose 9:00 dhe mbyllja e ditës së punës varion mes orës 17:30 dhe 19:00, sipas sektorit. Orët jashtë orarit kompensohen në pagesë, ose ditë pushimi. Festat dhe ditët zyrtare të pushimit shkojnë në 9 gjatë vitit, kjo edhe në varësi të kantonit. Leja në rast sëmundjeje është e paguar, ndërkohë që leja e lindjes paguhet me 80% të pagës, deri në 14 javë pas lindjes. Në Gjenevë arrin deri në 16 javë.

Studiuesit arritën në përfundimin se, çelësi i suksesit për vendet më të mira ishin investimet afatgjata te një person, nga lindja e tij deri në vdekje. Arsimi, shërbimi shëndetësor, si dhe trajnimet apo kualifikimet gjatë viteve të punës, rrisnin nivelin e të punësuarve dhe rrjedhimisht edhe fitimet e kompanive.

Sepse në fund të fundit, siç citon edhe raporti, e ardhmja e çdo vendi dhe çdo institucioni bazohet te talenti, aftësitë dhe kapaciteti i njerëzve. Një ambient, ku punonjësve u garantohen të gjitha të drejtat e tyre, mbetet gjithmonë produktiv dhe përkthehet në më shumë të ardhura për kompanitë.

Top Channel