Kontrabanda e makinave, pranga inspektorit të policisë dhe tre personave

09/04/2015 00:00

Një punonjës i policisë është prangosur pasditen e së enjtes bashkë me tre persona të tjerë nën akuzën e shpërdorimit të detyrës dhe kontrabandës së automjeteve.

Burime zyrtare të ministrisë së Brendshme bënë të ditur se, Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat ka arrestuar në flagrancë inspektorin Arjan Sokoli, me detyrë ndihmëskontrollor në Stacionin e Policisë Kufitare në Morinë, për ‘shpërdorim të detyrës.

“Më 8 prill 2015, shërbimet e Stacionit të Policisë në Kalimash kanë ndaluar dy automjete, të cilat përdornin të njëjtat targa, vendosur secilën vetëm në pjesën e përparme të mjetit. Ato drejtoheshin nga shtetasit Indrit dhe Denis Koni, pa dokumentacion përkatës”, thuhet në njoftimin zyrtar.

Mësohet se, Sektori kundër Krimit Ekonomiko-Financiar ka arrestuar Indrit dhe Denis Konin, si dhe Baftiar Halilin, të cilët në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë kryer veprën penale të ‘kontrabandës me mallra të tjera’ dhe “tregtimit dhe transportimit të mallrave kontrabandë’.

Nga hetimet e kryera nga SHÇBA (ish-SHKB) u dokumentua me prova ligjore se 3 shtetasit e ndaluar, janë ndihmuar për kryerjen e veprës penale nga punonjësi i policisë me detyrë ndihmëskontrollor, Arjan Sokoli. “Në kundërshtim me ligjin dhe duke keqpërdorur atributet që i jep detyra, inspektori ka lejuar kalimin e automjeteve nga Kosova në Shqipëri, nëpërmjet Policisë Kufitare në Morinë, duke mos kryer regjistrimin përkatës në sistemin TIMS”, thuhet më tej në njoftim.

Top Channel