Karburantet, Bode: Qytetarët paguajnë më shumë. Braçe: Problem, sasia dhe cilësia

09/04/2015 00:00

Propozimi tjetër i demokratëve, në seancën e sotme plenare, ishte rikthimi në nivelin e kaluar i taksës së qarkullimit.

“Çmimi i karburanteve në Shqipëri është 36% më i lartë nga çmimi i mesatares botërore. Dhe kjo përbën gjithashtu një fakt të publikuar nga një organizatë. Çdo deputet në këtë sallë ka në postën e tij një njoftim të kësaj organizate”, deklaroi deputeti demokrat Ridvan Bode.

“Është e vetmja, Maqedonia, që ka një barrë fiskale më të ulët sesa Shqipëria. Kur iu thoni qytetarëve shqiptarë që kjo taksë, e cila kushton 120 mln duhet të jeni të ndershëm dhe të drejtë për t’iu thënë, që nga kjo taksë duhet zbritur vlera e gjithë taksës së qarkullimit, që paguajnë kompanitë prodhuese dhe përpunuese të naftës në këtë vend”, reagoi kreu i Komisionit parlamentar të Ekonomisë, Erion Braçe.

Por kryetari i Komisionit të Ekonomisë nuk mohoi që tregu i karburanteve ka sot probleme të mëdha.

“Po, ka probleme tregu dhe cënohen qytetarët e Republikës së Shqipërisë. Cënohen në cilësi, ashtu siç cënohen edhe në sasi. Të gjithë ata tregtarë, që përfitojnë maksimalisht nga ky biznes nuk e kanë ndjesinë e shërbimit ndershmërisht, duke mbajtur pjesën e tyre të normës së fitimit përkundrejt qytetarëve, të cilët edhe mashtrohen, edhe vidhen gjatë gjithë ditës”, theksoi Erion Braçe.

Erion Braçe përshëndeti vendimin e Qeverisë për një kontroll dhe menaxhim të plotë të tregut të karburanteve, që në besimin e tij do të shmangë abuzimin e madh, që bëjnë sot tregtuesit e këtij produkti.

Top Channel