Ligji për Arsimin, Mark Marku: Favorizon universitetet private

09/04/2015 00:00

Kapitulli i fundit i ligjit të Arsimit të Lartë është i papranueshëm dhe i panegociueshëm nga Senati i Universitetit të Tiranës. Profesor Mark Marku sqaron se, neni 117 i kapitullit të ligjit të Arsimit të Lartë, në pikën “c” të tij, nuk ia heq të drejtën themeluesit dhe pronarit të universitetit nga aksionet e tij. Përkundrazi, ai i mban aksionet dhe vetëm sa ia lë në përdorim një fondacioni.

“Themeluesit të institucionit të universitetit privat i krijohet mundësia që praktikisht, duke ia kaluar shtetit përgjegjësinë financiare, të mbajë kontrollin mbi universitetin. Gjë që për mua është e pakuptimtë. Në qoftë se themeluesi e kalon një universitet privat në publik, do të thotë që privati ka falimentuar, atëherë çfarë të drejtash duhet të gëzojë ai? Me këtë ligj, themeluesi i universitetit privat praktikisht e kontrollon edhe universitetin e pavarur publik”, është shprehur Profesor Mark Marku.

Ministria e Arsimit bën të ditur në shpjegimet e saj se, themeluesi i universitetit privat ia fal asetet fondacionit, dhe ky i fundit ia jep në përdorim institucioneve të pavarura të Arsimit të Lartë. Por ky përkufizim nuk përkthehet i tillë në pikën “c” të nenit 117, në të cilën thuhet:

“Themeluesi merr përsipër detyrimin t’i kalojë IALPP-së, të drejtën e përdorimit mbi të gjitha pasuritë e paluajtshme ku zhvillon veprimtarinë IAL ekzisues, si edhe pasuri të tjera të domosdoshme për ushtrimin e veprimtarisë së IALPP. Pasuritë duhet të jenë të lira nga çdo barrë dhe themeluesi nuk duhet të ketë detyrime ndaj personave të tretë”.

Pra, ajo që është evazive, është se termi “fal”, heqja dorë nga çdo e drejtë, në ligj, për themeluesin apo pronarin e një universiteti është shkruar “jep në përdorim”.

“Ligji e ka ia lë në përdorim, që do të thotë se vazhdon të ketë akses në formën e pronësisë. Ndërkohë që përgjegjësinë financiare e merr shteti, dy gjëra të papërputhshme. Do ishte shumë mirë që themeluesi, në momentin që universiteti privat kalon në të pavarur publik, të hiqte dorë nga çdo e drejtë në raport me universitetin privat”, deklaron më tej Profesor Marku.

Universiteti i Tiranës shprehet se ky kapitull favorizon universitetet private, të cilat mund të përfitojnë nga fondet publike, ndërkohë që vazhdojnë në praktikë të kenë sërish pronarët e mëparshëm. Për të kundërshtuar ligjin, pedagogët dhe studentët kanë paralajmëruar deri edhe forma ekstreme të protestës.

Top Channel