Kuvendi rrëzon dekretet e Presidentit për Gjykatën e Lartë

09/04/2015 00:00

Në fund të seancës maratonë të kësaj të enjteje, të shoqëruar me debate të ashpra mes opozitës dhe mazhorancës, kjo e fundit rrëzoi dy dekrete të Presidentit të Republikës mbi Gjykatën e Lartë.

Kuvendi ka rrëzuar dekretin e Presidentit të Republikës, Bujar Nishani,
për kandidatin për anëtar të Gjykatës së Lartë, Markelian Koça. Koça mori 25 vota pro dhe 75 kundër. Kuvendi rrëzoi edhe dekretin tjetër të Presidentit për Gjykatën e Lartë, Fuat Vjerdhën, i cili mori 21 vota pro dhe 76 kundër.

Dy dekretet ishin rrëzuar më parë nga mazhoranca në komisionin e Ligjeve, me argumentin se kreu i shtetit nuk është konsultuar me Kuvendin.

Kreu i shtetit Bujar Nishani dekretoi mesin e janarit dy emërimet e tij dhe në arsyetimin e Presidentit thuhej se ata janë me përvojë 20-vjeçare në sistemin gjyqësor shqiptar. Mes Presidentit dhe mazhorancës parlamentare ka patur debat për këtë çështje, ku secila palë i qëndron pozicionit të vet.

Po në këtë seancë plenare u rrëzuan edhe dy pr/ligje
ekonomike; një shtesë në ligjin “Për tatimin mbi vlerën e shtuar” dhe
një ndryshim në ligjin “Për taksat kombëtare”.

Maxhoranca rrëzoi
amendimin e propozuar nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike për
uljen me 14 për qind të TVSH-së për energjinë, ndërsa miratoi
ratifikimin e tre marrëveshjeve për financimin e projekteve në
furnizimin me ujë të zonave rurale. 

 

Top Channel