Projekti TAP, i hapur për investitorë të rinj, përfshi nga Irani

09/04/2015 00:00

Gazsjellësi Trans-Adriatik (TAP), i cili do të furnizojë tregjet europiane me gazin azer dhe që konsiderohet si alternativa më e rëndësishme e Europës për t’u pavarësuar nga gazi rus, ka hapur dyert për investitorë të rinj përfshi edhe nga Irani, bëri të ditur një zëdhënëse e projektit gjatë së mërkurës.

Gazsjellësi TAP synon të transportojë gazin azer nga fusha e Shah Denizit të dytë në detin Kaspik, një prej fushave më të mëdha naftëmbajtëse të botës, brenda fundit të kësaj dekade. Ai do të jetë i gjatë 870 km dhe do të lidhë gazsjellësin Trans-Anatolian (TANAP) pranë kufirit greko-turk në Kipoi, do të kalojë përgjatë territorit të Greqisë dhe Shqipërisë, e më pas përmes detit Adriatik do të mbërrijë në kufijtë jugorë të Italisë.

“TAP është i hapur për aksionerë të rinj, të cilët mund të shtojnë vlera strategjike në këtë projekt”, tha Lisa Givert, udhëheqëse e komunikimit të TAP, duke folur përpara reporterëve në kryeqytetin azer të Bakusë. Ajo u pyet në lidhje me interesimin e mundshëm të Iranit, në qasjen në disa prej aksioneve të TAP, pasi Republikës Islamike t’i hiqen sanksionet e vendosura nga Perëndimi.

“Për çdo vëllim shtesë që do të vijë në këtë gazsjellës, TAP do të veprojë në përputhje me rregulloren e BE-së dhe në respekt të sanksioneve përkatëse”, tha Givert. Zyrtarët azerë gjithashtu nuk e përjashtojnë faktin që Irani mund t’i bashkohet projektit të eksportit të gazit azer drejt Europës, duke përdorur gazsjellësin TANAP.

“Nëse Irani do të ketë gaz në të ardhmen, nuk do të ketë ndonjë mundësi tjetër veçse të përdorë gazsjellësin TANAP për të furnizuar me gazin e tij tregjet e huaja”, tha Rovnag Abdullayev, president i SOCAR, kompania shtetërore energjetike e Azerbajxhanit.

Azerbajxhani synon të transportojë 16 miliardë metër kub gaz natyror në vit, nga fusha e Shah Denizit të dytë, në detin Kaspik, drejt Turqisë e më pas drejt Europës brenda kësaj dekade.

Top Channel