Kina ëndërron linjë hekurudhore me tunel nën Everest, drejt Nepalit

09/04/2015 00:00

Kina është duke konsideruar zgjerimin e një linje hekurudhore, që lidh vendin me Nepalin përmes një tuneli nën malin Everest, ka bërë të ditur një nga mediet shtetërore kineze.

Propozimi është i fundit i një serie skemash ambicioze hekurudhore, që Pekini raportohet të jetë duke shqyrtuar. Lajmi vjen mes skepticizmit në lidhje me faktin nëse do të marrin ndonjëherë jetë disa prej projekteve, si dhe në kohën kur prezenca kineze në Nepal sa vjen e rritet, duke shkaktuar shqetësime në Indi, fuqi rivale rajonale.

Hekurudha Qinghai-Tibet lidh aktualisht pjesën më të madhe të Kinës me kryeqytetin e Tiberit, Lhasa, ndërsa një zgjerim i mundshëm deri në kufijtë ndërkombëtare është planifikuar “me kërkesë të Nepalit”, ka bërë të ditur e përditshmja “China Daily”, duke cituar një ekspert të Akademisë kineze të Inxhinierisë.

Projekti pritet të përfundojë në vitin 2020, sipas citimit të një zyrtari tibetian kësaj radhe. Zgjerimi i linjës hekurudhore do të krijojë potencialisht një lidhje decizive mes Kinës dhe tregjeve masive të Indisë. Ai është ngritur për diskutim nga ministri i Jashtëm kinez, Wang Yi, pas vizitës së tij në Kathmandu, kryeqyteti i Nepalit, në Dhjetor të vitit të kaluar.

“Linja pritet me shumë mundësi të kalojë përmes Qomolangma, kështu që punonjësve do të mund t’u duhet të gërmojnë disa tunele tepër të gjatë”, ka thënë eksperti i hekurudhave Wang Mengshu, për “China Daily”, duke iu referuar malit Everest, siç quhet nga tibetianët.

Vitin e kaluar, një tjetër gazetë shtetërore, “Beijing Times”, raportoi se Kina ishte duke konsideruar ndërtimin e një linje hekurudhore të shpejtësisë së lartë drejt Shteteve të Bashkuara, e cila do të kishte një gjatësi prej rreth 13 mijë kilometrash, apo 3 mijë km më e gjatë sesa hekurudha trans-siberiane. Ajo do të përfshinte gjithashtu rreth 200 kilometra tunel nëndetar, që do të ishte edhe më i gjati i botës, duke kaluar nga ngushtica Bering, që lidh Rusinë me Alaskën.

FOTO GALERI
1/4

Top Channel