Ambasada e SHBA reagon për deklaratat e Kryeministrit Rama

09/04/2015 00:00

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë reagoi për VOA në lidhje me deklarimet e Kryeministrit Edi Rama për bashkimin e shqiptarëve në Bashkimin Evropian dhe qasjen që duhet të ketë BE-ja ndaj këtij bashkimi.

I pyetur nga “Zëri i Amerikës” se cili është qëndrimi i SHBA-ve, pas deklaratave të forta të Serbisë për komentet e Kryeministrit Rama në lidhje me Bashkimin e shqiptarëve në BE, një zëdhënës i ambasadës u përgjigj:

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës, mbështesin fort aspiratat për në BE, të të gjitha vendeve në Ballkanin Perendimor dhe mirëpresin riafirmimin nga BE se këto vende ndajnë një perspektivë të qartë europiane. SHBA besojnë se të gjitha vendet që punojnë për anëtarësim në BE duhet të qëndrojnë larg nga gjuha që nuk e çon përpara këtë synim të përbashkët dhe duhet të vazhdojnë të punojnë drejt forcimit të bashkëpunimit rajonal. SHBA mirëpret garancitë që ka marrë nga qeveria e Shqipërisë se deklaratat në fjalë synonin vetëm të theksonin rëndësinë që ka integrimi në BE për shumë vende të Ballkanit”.

Top Channel