“Top Story”, pr/ligji për arsimin e lartë, çfarë ndryshon?

09/04/2015 00:00

Në kohën e debateve për kandidatët e partive për bashkitë, qeveria ka kaluar ligjin për arsimin e lartë. E majta e kishte arsimin një nga shtyllat kryesore të programit të Rilindjes dhe nga të paktat projekte që ka nisur zbatimin. Por, çfarë është ky ligj, kush ishte domosdoshmëria e tij dhe kush janë pasojat e tij për studentët?

Reforma në arsim ishte një ndër shtyllat kryesore të fushatës së 2013 të koalicionit të majtë. Sot në pushtet, kjo reformë është ndër të paktat reforma madhore të premtuara nga e majta që ka nisur zbatimin.

Hapi i parë është kalimi i projektligjit nga qeveria, pas një viti konsultimesh, sipas Ministrisë së Arsimit dhe Sportit. Por ende pa vajtur në Kuvend për votim në seancë plenare projektligji kundërshtohet jo vetëm nga opozita, por edhe nga një pjesë e profesorëve dhe akademikëve, sidomos në pjesën ku parashikohet shpërndarja e fondeve.

Për të folur për këtë dhe për çështje të tjera sa i takojnë këtë ligji, në panelin e “Top Story” këtë të enjte ishte ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, zv.ministri i Arsimit, Arbian Mazniku përballë deputetit të Partisë Demokratike, Luçiano Boçi dhe pedagogut Fabian Topollaj.

Ministrja Nikolla vlerësoi projektligjin. Ajo tha se reforma lindi si domosdoshmëri për të nxjerrë specialistë të zotë në treg dhe rritjen e cilësisë.

“Nuk ka një familje që të thotë se nuk është e nevojshme reforma në arsimin e lartë. Institucionet e biznesit e kanë të pamundur të gjejnë specialistë të zotë në treg. Për shkak të situatës në arsimin tonë të lartë, shumë sektorë të rëndësishëm vuajnë mungesën e specialistëve. 18 institucione të arsimit të lartë privat u mbyllën pasi ishin kioska shitjeje diplomash. Ushtruam një kontroll të plotë të verifikimit të ligjit dhe problematika shtrihej në tërë sistemin. Kishte disa gjëra që nuk kishin shkuar në drejtimin e duhur. Nuk ishte studiuar tregu i punës dhe nuk kishte ndihmë për të përmirësuar stafet akademike. Reforma ka të bëjë me kthimin e institucioneve të arsimit të lartë në shinat e cilësisë.

Kemi verifikuar kriteret e ligjit, një proces që nuk kishte ndodhur kurrë më parë, edhe pse ishte e shkruar që kriteret duhet të verifikoheshin çdo 3 vite. Kjo gjë nuk kishte ndodhur. Në momentin që kjo gjë ndodhi, morëm masa konkrete me mbyllje universitetesh dhe riakomodim studentësh në universitete të tjera”, tha ajo.

Deputeti Boçi u shpreh se reforma hedh krejtësisht poshtë ato që janë arritur deri më tani, ndërkohë që rrit tarifat për studentët.

“E vërteta është që ka pasur diploma të parregullta deri më tani, por në Shqipëri ka studentë ekselentë që kanë furnizuar kompani dhe administratën shtetërore. Ka pasur lëvizje të vlerës së diplomës nga universiteti shtetëror dhe ai privat, por nuk ka një raport për këtë pohim. Nuk mund të mohohet gjithçka është bërë dhe nuk është kjo mënyra për të bërë një reformë. Me këtë ligj do të rriten tarifat për studentët, por mazhoranca nuk e thotë këtë gjë. Duke mos përcaktuar tarifat e arsimit, këta duan të rrisin cilësinë duke rritur financimin për student. Synohet të arrihet tarifa e 1500 eurove. I bie që numri i studentëve do të jetë i vogël”, deklaroi Boçi.

Zv.ministri i Arsimit Arbjan Mazniku shtoi se reforma lindi si nevojë edhe për të rikthyer balancat studentë-staf pedagogjik.

“Që nga viti 2008 është rritur shumë numri i studentëve, ndërkohë që numri i stafit akademik jo vetëm që nuk është rritur, por ka pasur vite dhe që është ulur. Sipas ligjit të ri, shteti garanton arsimin për studentët që nuk kanë mundësi financiare”, tha ai.

Për pedagogun Fabian Topollaj reforma është e mirëpritur, por jo në këtë formë.

“Askush nuk ka thënë që nuk mirëpresim reformën, por ky ligj nuk zgjidh problematikat, pasi ky ligj rrëzon të gjithë sistemin dhe të mirat e ligjit të vjetër. Ligji i ri ka mungesën e nenit që përcakton detyrimin e Ministrisë së Arsimit që të subvencionojë me para’ institucionet e arsimit të lartë, që të kenë mundësi të vazhdojnë veprimtarinë e tyre. Ky ligj, kostot e arsimit ja kalon studentëve dhe heq detyrimin e shtetit për të paguar rrogat e pedagogëve. Do të rriten tarifat për studentët dhe kjo do të thotë që të rinjtë do të heqin dorë nga universiteti”, deklaroi ai.

Po tek tarifat u ndal edhe deputeti Luçiano Boçi.

“Duan të rrisin tarifat, madje në dy vjet i kanë rritur tarifat e studentëve. Në vitin 2013 u mblodhën 2.5 miliard lekë nga këto tarifa, në vitin 2014 u mbldhën  3.5 miliard. Pra 1.5 miliard lekë më shumë lekë të marra nga xhepat e studentëve dhe familjeve shqiptare”, tha Boçi.

Zv.ministri Mazniku kundërshtoi këtë duke deklaruar se granti i përgjithshëm për universitetet shtetërore nuk do të ndryshojnë. Ajo që ndryshon thotë ai, është skema e shpërndarjes së këtyre parave.

“Ligji ndryshon në mënyrë rrënjësore skemën dhe granti i përgjithshëm vazhdon për institucionet shtetërore, por ndryshon skema. Nuk do të shkojnë më paratë për rrogat e pagat, por tani do të jepet në bazë të performancës se shkollave të larta. Do mbështeten studentët që ndjekin degë që ne i kemi prioritete kombëtare.” – tha ai.

Në pjesën e tretë debati u zhvendos tek mënyra e shpërndarjes së fondeve tek institucionet e arsimit të lartë private, një ndër pikat më fort të kritikuara.

Ministrja Nikolla dhe zv.ministri Mazniku ritheksuan edhe njëherë se ligji nuk u shpërndan fonde publike universiteteve private, por e kundërta ndodh.

Ndërkohë, Luçiano Boçi dhe Fabian Topollaj thanë se projektligji diferencon universitetet dhe lë hapësira për selektimin e tyre mbi bazën e preferencave të kryeministrit dhe qeverisë, e jo mbi bazën e cilësisë.

Top Channel