SHBA-Kubë, takim i nivelit të lartë pas më shumë se 50 vitesh

10/04/2015 00:00

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, dhe ministri i Jashtëm kubanez, Bruno Rodriguez shtrënguan duart në takimin e nivelit më të lartë mes dy vendeve, prej më shumë se 50 vitesh.

Bisedimet mes shefave të diplomacive të këtyre shteteve, prej vitesh në hasmëri me njëri-tjetrin, u zhvilluan pas dyerve të mbyllura në Panama, ku zyrtarët ndodhen për samitin rajonal të vendeve të Amerikës Latine.

Takimi vjen në kohën, kur nga Departamenti amerikan i Shtetit mbërriti rekomandimi për ta hequr Kubën nga lista e vendeve sponsorizuese të terrorizmit. Lëvizja mund t’i hapë rrugën rivendosjes së misioneve diplomatike nga të dyja palët.

Pak detaje ka prej takimit Kerry-Rodriguez. Eventi i fundit i krahasueshëm me të, për nga niveli i takimit, ishte në 1959-n, kur Fidel Castro bisedoi me Richard Nixonin, asokohe zëvendëspresident i Amerikës.

Marrëdhëniet diplomatike mes Shteteve të Bashkuara dhe Kubës do të ngrinin dy vite më vonë. Tani, afrimi i dy armiqve të betuar ka rinisur, ndonëse normalizimit të marrëdhënieve do t’i duhet të kapërcejë disa pengesa, më kryesorja e të cilave mbetet çështja nevralgjike e të drejtave të njeriut.

Që prej deklaratës historike të qeverive në Havanë dhe në Uashington, për t’i rivendosur marrëdhëniet e ndërprera në 1961-shin, situata është përmirësuar ndjeshëm, por afrimi sërish nuk po vjen me hapa të mëdhenj.

Më 31 Mars u zhvillua një takim i parë në Uashington, ku u bënë të qarta edhe ndryshimet e mendimeve. Shtetet e Bashkuara kërkojnë nga Kuba, para së gjithash përmirësime në lirinë e fjalës, ndërsa Havana vazhdon të ketë koncepte të ndryshme për demokracinë dhe të drejtat e njeriut.

Top Channel