KE për çështjen “Frroku”: Presim një proces të shpejtë

10/04/2015 00:00

Dimensioni ndërkombëtar mbi çështjen “Frroku” shtyn Brukselin që të shtojë në qëndrimin ndaj Tiranës edhe “bashkëpunimin me vendet anëtare të BE-së për çështje kriminale”.

Maja Koçijançiç, zëdhënëse e KE-së, u shpreh: “Përsa i takon këtij rasti, ne presim një proces të shpejtë, të plotë dhe pa pengesa për ta zbardhur atë përmes hetimeve në vazhdim, që duhen çuar deri në fund dhe duhen ndjekur nga veprimet e duhura të prokurorisë dhe gjykatave. Ne theksojmë rëndësinë për të gjitha institucionet shqiptare dhe organet ligjzbatuese të përfshira që të përmbushin përgjegjësitë e tyre për të garantuar një proces të duhur, sipas ligjit, dhe, për shkak të dimensionit ndërkombëtar që ka marrë kjo çështje, bashkëpunimi me BE-në dhe vendet anëtare për çështjet kriminale është një element i rëndësishëm për luftën kundër aksioneve të krimit.”

Komisioni Europian thekson rëndësinë e zbatimit të atyre elementëve në reformën e gjyqësorit që mundësojnë rritje të eficencës, llogaridhënies e pavarësinë e institucioneve të drejtësisë, sikundër dhe marrëveshjen politike të dhjetorit. Ndërsa mungon një kuadër i përbashkët europian mbi dekriminalizimin, për Shqipërinë vlerësohet se kjo çështje lidhet me zbatimin e shtetit të së drejtës, ku duhet të përqëndrohet dhe puna e komisionit të posaçëm parlamentar, sipas Koçijançiç.

“Nuk ka një standart të përbashkët të BE-së për anëtarët e parlamentit me të dhëna kriminale në të kaluarën, por secili vend anëtar rregullon kriteret mbi të drejtën e të zgjedhurit për anëtarët e ardhshëm dhe hetimi për anëtarët aktualë të Parlamentit Europian kryhet sipas legjislacioneve respektive. Përsa i takon situatës së dekriminalizimit të parlamentit në Shqipëri, kjo lidhet më së shumti me zbatimin e fortë të shtetit të së drejtës dhe ne presim që ky të jetë parimi themelor që drejton punën e  komisionit përkatës parlamentar dhe ka mjaft rëndësi që marrëveshja politike e Dhjetorit të zbatohet, sikundër zbatimi i elementëve kyç për reformën e gjyqësorit, ku bëhet thirrje për pavarësinë, efiçensën dhe llogaridhënien e institucioneve të drejtësisë, është kyçe në këtë drejtim”, theksoi Koçijançiç.

Në nivel europian, pritet të nisin negociatat 3 palëshe mes Komisionit, Parlamentit, e Këshillit mbi draftin për rregullat e BE-së në fushën e bashkëpunimit gjyqësor. Në paketën e sapomiratuar nga komiteti për liritë civile theksohet, veçanërisht për median dhe prokurorët, respektimi i të drejtës së prezumimit të pafajësisë, përsa kohë nuk ka vendim gjykate në formë të prerë dhe që e drejta e heshtjes të mos përdoret kundër të akuzuarëve.

Përgatiti: Arta TOZAJ

Top Channel