Reagon FSHF-ja për ndeshjen Mali i Zi-Rusi: UEFA veproi me dy standarde

10/04/2015 00:00

Federata Shqiptare e Futbollit ka reaguar për vendimin e UEFA-s për ndeshjen Mali i Zi-Rusi, duke theksuar se UEFA, duke i dhënë fitoren në tavolinë 0-3 Rusisë, ka vepruar me dy standarde.

UEFA i akordoi 3 pikët Rusisë pas trazirave që ndodhën në ndeshjen kualifikuese të “Euro 2016”, ku që në fillim të ndeshjes u godit me fishekzjarr portieri rus, ndërsa në pjesën e dytë, pas një sherri masiv mes lojtarëve, rusët vendosën të dilnin nga fusha e lojës.

Me anë të një komunikate për shtyp, organi drejtues i futbollit shqiptar bëri të qartë qëndrimin e tij ndaj këtij vendimi, që sipas tij, është “tejet i drejtë”.

“FSHF-ja mendon se ky vendim është tejet i drejtë dhe në përputhje me standardet dhe rregullat e UEFA-s. Duke marre shkas nga ky vendim, FSHF-ja thekson që në rastin e ndeshjes Serbi-Shqipëri, Komisioni i Etikës dhe Disiplinës nuk aplikoi të njëjtin standard gjykimi sepse dhuna në stadiumin Partizani të Beogradit ishte më ekstreme dhe e shoqëruar gjithashtu me thirrje raciste. Pamjet e goditjeve të lojtarëve tanë me karrike dhe sende të forta, fishekzjarret dhe hyrja në fushë e tifozëve në prani të 5000 policëve janë një argument i padiskutueshëm që vendi organizator dështoi për mbarëvajtjen e një ndeshjeje normale futbolli mbështetur në rregullat e UEFA-s”, lexohet në komunikatën e FSHF-së.

Më tej, FSHF-ja bën të ditur se shpreson në marrjen e 3 pikëve në 17 prill në CAS: “Duke pritur vendimin e 17 prillit të CAS-it, ne kemi shumë shpresë për një gjykim të drejtë, jo thjesht që kombëtares së Shqipërisë i takojnë 3 pikët, por sepse vendimi në favor të Shqipërisë është vendimi në favor të futbollit.”

Top Channel