PS publikon emrat e 32 kandidatëve, Tirana dhe Vlora ende pa vendim

10/04/2015 00:00

Partia Socialiste shpalli emrat e 32 kandidatëve të saj për zgjedhjet lokale të 21 Qershorit, në 7 nga 12 qarqet e vendit, që do t’i propozohen mesjavën e ardhshme tryezës së koalicionit.

Tre prej tyre, aktualisht janë deputetë në Kuvendin e Shqipërisë. Serinë e takimeve, kryesocialisti Edi Rama, i shoqëruar nga kreu i grupit parlamentar Ruçi dhe nënkryetari Balla, e nisën me deputetët e Qarkut të Shkodrës, ku do të kandidojnë:

Qarku Shkodër
Keti Bazhdari, Bashkia e Shkodrës
Gjokë Lleshi, Bashkia e Vaut të Dejës
Fran Tuçi, Bashkia e Fushë Arrëzit
Rustem Struga, Bashkia e Pukës
Tonin Marinaj, Bashkia e Malësisë së Madhe

Ministri i Financave, Shkëlqim Cani tha se për Qarkun e Dibrës kandidatët janë:

Qarku Dibër
Shukri Xhelili, Bashkia Dibër
Adelina Farici rikandidon për Bashkinë e Matit
Valbona Kola, Bashkia Klos

Ndërsa për Qarkun Kukës, në Bashkinë e Kukësit pritet të kandidojë një emër nga LSI-ja, ndërkohë që Adem Lala do të garojë për Bashkinë Has dhe Rexhë Biberaj për Bashkinë Tropojë.

Kandidatët fitues për Durrësin, siç i quajti deputeti Blendi Klosi, udhëhiqen nga i rikandiduari për Bashkinë e këtij qyteti, Vangjush Dako. Deputeti Artur Bushi garon për Bashkinë e Krujës, ndërsa i përzgjedhur për Shijakun është Ardian Kokonomi.

Kohën më të gjatë të diskutimit me Ramën e kanë marrë deputetët e Qarkut të Elbasanit. Emrat i shpalli deputeti i këtij Qarku, Taulant Balla.

Qarku Elbasan
Qazim Sejdini, Bashkia Elbasan
Kastriot Gurra, Bashkia Librazhd
Arif Tafani, Bashkia Belsh
LSI në Bashkinë Përrenjas
LSI në Bashkinë Cërrik
PDIU në Bashkinë Peqin

Nuk munguan kritikat e deputetit Ben Blushi për procesin e përzgjedhjes së kandidatëve. Erjon Braçe, i cili udhëhiqte grupin e deputetëve të Qarkut Fier, deklaroi kandidatët për këtë qark.

Qarku Fier
Armando Subashi, Bashkia Fier
Fatos Tushe, Bashkia Lushnjë
Fredi Kokoneshi, Bashkia Divjakë
Majlinda Bushi, Bashkia Roskovec
Rajmonda Balili, Bashkia Patos

Qarkun e Korçës rikandidon Sotiraq Filo, ndërsa për Bashkinë e Maliqit kandidon Gëzim Topçiu. Nuk është vendosur ende për Bilishtin. Pogradeci dhe Kolonja pret emrat e kandidatëve të LSI-së, ndërsa Partia Maqedonase merr Bashkinë Pustec.

Ndërkohë, për sa i përket Qarkut të Beratit, deputeti Eduard Shalsi tha se kandidatët do të njoftohen bashkërisht me LSI-në, ditën e hënë. Po ashtu edhe kandidaturat për Qarkun e Gjirokastrës dhe atë të Vlorës priten mesjavën e ardhshme.

Në përfundim të takimeve, nënkryetari i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla tha se për Bashkinë Kavajë do të rikandidojë Elvis Roshi, ndërsa në atë të Kamzës biznesmeni dhe njëkohësisht president i ekipit të Kukësit, Safet Gjici.

Kryeministri Edi Rama, duke i bërë një bilanc takimeve të sotme, tha se janë rakorduar qëndrimet në tërësi të bazës së partisë.

“Mbeten për t’u përfunduar edhe disa njësi, ndër të cilat sigurisht edhe njësia më e madhe e vendit, Bashkia e Tiranës. Për këto njësi ka akoma disa punë për të bërë, të natyrës konsultative dhe po ashtu të përfundimeve të imëta të anketimeve që ne kemi zhvilluar. Unë besoj që brenda javës së ardhshme dhe mendoj në mesjavë, ne do të jemi gati me të gjitha kandidaturat për tryezën e koalicionit. Mbi të gjitha, ajo që ne kemi shqetësimin kryesor është që në këto zgjedhje nuk jemi duke bërë garën e radhës për një palë zgjedhje vendore, por jemi duke përcaktuar fatin e reformës administrative, në kutpimin e një jetësimi sa më të mirë dhe cilësor për të përcjellë si të mira për qytetarët, të gjitha ato të cilat reforma na ka çelur rrugën që t’i përkthejmë në të mira për qytetarët, në formën e shërbimeve më cilësore dhe në formën e një qeverisjeje shumë më ciëlsore. Kështu që sfida e këtyre zgjedhjeve është një sfidë shumë më e madhe sesa sfida e zakonshme e zgjedhjeve të zakonshme”, deklaroi Rama.

Top Channel