Jahjaga: Politika të rrijë larg institucioneve të drejtësisë

10/04/2015 00:00

Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga ka folur para një forumi të
shoqërisë civile dhe mediave, për punën e saj në krye të vendit.
 

Ajo tha se korrupsioni mbetet sfidë e vazhdueshme për Kosovën, ndërsa ka ftuar politikën që të qëndrojë sa më larg institucioneve të drejtësisë.

“Lufta kundër korrupsionit nuk mund të ndalet dhe nuk mund të pengohet. Ne kemi identifikuar dhe zgjidhur shumë probleme në Këshillin Kombëtar Kundër Korrupsionit, por barra kryesore bie mbi institucionet që kanë kompetenca ekzekutive në hetim, ndjekje dhe gjykim. E di që duhet shumë më shumë punë dhe prandaj gjithnjë e kam theksuar faktin se sa më larg që politika të qëndrojë prej këtij sistemi aq më e mirë do të jetë për të dhe aq më shpejtë do të mund të garantojmë zbatimin e ligjit”, thotë Jahjaga.

Presidentja foli edhe për tejzgjatjen e dekretimit të kryeprokurorit të ri kosovar, por sipas saj vonesat janë bërë pikërisht në sistemin prokurorial, ndërsa tha se është në shqyrtim të lëndës së kryeprokurorit dhe brenda afateve ligjore do ta marrë vendimin final.  
 
“Zgjatja e procesit nuk ka ndodhur e as nuk do të ndodh në zyrën time. Lëmshi i krijuar është pasojë e një tejzgjatje për shumë muaj. Kjo tejzgjatje ka vënë në pah shumë probleme me të cilat ballafaqohet Këshilli Prokurorial si një ndër shtyllat më të rëndësishme të sundimit të ligjit. Unë vendimin tim do ta marr ashtu siç kam marrë çdo vendim tjetër, duke u bazuar në Kushtetutë dhe ligj. Për mua është e rëndësishme të merret një vendim i cili do të jetë standard i bazuar në proces dhe kredibilitet. Propozimi është në shqyrtim, hapësirë të cilën ma jep ligji dhe kjo kohë e shqyrtimit nuk prodhon as vakum institucional e as nuk do të jetë në funksion të asnjë pazari politik”, theksoi Jahjaga.

E para e vendit foli edhe për proceset integruese të Kosovës, duke paralajmëruar se përmbushja e kritereve për liberalizimin e vizave do të ndodhë në muajin maj.
 
E pyetur për deklaratat e Kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama për bashkimin kombëtar, presidentja kosovare tha se ka pasur keqinterpretime të tyre, pasi sipas saj të gjithë e dinë që të vendet dhe popujt e Ballkanit Perëndimor do të bashkohen në Bashkimin Evropian.
 
Një vit para përfundimit të mandatit të saj, Jahjaga tha se nevojitet një debat i gjerë shoqëror për të vendosur për formën më të mirë të zgjedhjes së presidentit të ardhshëm të Kosovës.
 

Top Channel