Ekstradohet nga Kosova i kërkuari për trafik të lëndëve narkotike

10/04/2015 00:00

Një 50-vjeçar, i kërkuar për trafik të lëndëve narkotike u ekstradua sot nga Kosova në Shqipëri.

Burime zyrtare të Interpol Tiranës bënë të ditur se, sot u krye ekstradimi nga Kosova drejt vendit tonë i shtetasit kosovar Izet (alias) Lision Krasniqi, 50 vjeç, lindur në Malishevë.

“Me vendim të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda të Tiranës, ndaj Krasniqit është vendosur masa e sigurisë ‘arrest me burg’ për veprën penale ‘trafikim i lëndëve narkotike në bashkëpunim’, ‘grup të strukturuar kriminal’ dhe ‘kryerje e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal’, bëri të ditur Interpol Tirana.

Në vitin 2008, gjatë një operacioni të kryer nga Policia Shqiptare u sekuestruan 13 kilogramë e 760 gramë heroinë. Nga hetimet e kryera rezultoi se Krasniqi ishte i përfshirë në trafikun e drogës dhe ishte anëtar i grupit criminal, që transportonte sasi të mëdha lënde narkotike. Ky grup, raporton policia, operonte në Shqipëri dhe Itali gjatë periudhës 2008 -2009.

50-vjeçari Krasniqi iu dorëzua përfaqësuesve të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.

Top Channel