“21 Janari”, Basha: Janë shpifje të ulëta. Mazhoranca po largon vëmendjen nga problemet reale

10/04/2015 00:00

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha i cilëson si shpifje të ulëta, akuzat dhe padinë e Qeverisë ndaj tij. Kjo, sipas Bashës bëhet për të shkaktuar zhurmë politike dhe për të tërhequr vëmendjen nga problemet e vërteta të vendit.

“Shpifjet dhe akuzat e lodhura e të vjetra të planifikuesve të dhunës ndaj institucioneve, të të njëjtëve që sot kanë kriminalizuar institucionet, nuk mund të heqin vëmendjen nga akti kriminal i djeshëm i hedhjes poshtë të amendamenteve tona për uljen e çmimit të naftës dhe të energjisë. Çdo akrobaci, çdo përpjekje për t’i trajtuar si dele shqiptarët apo mediet e shqiptarëve, ka dështuar me turp. Ajo e djeshmja nuk është gjë tjetër, veçse një përpjekje e dështuar për të ricikluar shpifje dhe akuza të vjetra dhe të lodhura, me vetëm një qëllim, që shqiptarët të harrojnë se Edi Rama dje, jo vetëm dështoi të mbante premtimin, por në mënyrë kriminale, kur ne i dhamë mundësinë e dytë ta mbante këtë premtim, e shkeli për herë të dytë, duke shkelur e poshtëruar edhe shqiptarët. Kjo do të thotë se për çdo shqiptar, kostoja e rritur e ushqimeve, për shkak të rritjes së taksës së karburantit, do të vazhdojë të mbetet e lartë, sepse Edi Ramës ia ndien për hallet që po kalojnë shqiptarët, të djathtë e të majtë. Ndaj, këto janë çështjet e vërteta që bashkojnë shqiptarët, të djathtë e të majtë, të tjerat janë përralla të njerëzve të intoksikuar nga krimi, lidhjet me krimin dhe substancat narkotike që vetë shokët e tyre i denoncojnë ditë për ditë në hundët e tyre të pista”, deklaroi kreu i PD, Basha.

Top Channel