Bankers: Dëmshpërblim 100 për qind. Do rehabilitojmë tokën në Marinzë

10/04/2015 00:00

Zëvendëspresidenti i “Bankers Petroleum”, Mark Hodgson deklaron se shtëpitë e dëmtuara nga shpërthimi i gazit në fshatin Marinzë do të dëmshpërblehen në masën 100 për qind nga vetë kompania.

Në zonë është ngritur një komision nga qarku Fier dhe Komuna në të cilin marrin pjesë edhe përfaqësues të kompanisë që po bëjnë vlerësimin e dëmit financiar që është bërë.

Sipas zëvendëspresidentit të kompanisë “Bankers”, vlerësimi është drejt fundit dhe do të kemi një vlerë të dëmit financiar të krijuar në 93 banesa që ndodhen në rrezen e 500 metrave nga vendi ku ka ndodhur incidenti.

“Bankers” ka vendosur në dispozicion të komisionit inxhinjerë ndërtimi, por edhe inxhinjerë gjeoteknikë, të cilët do të bëjnë vlerësimin e dëmeve të shkaktuara në themele, domethënë dëmit të shkaktuar nën tokë përveçse sipërfaqes.

““Bankers”, mbasi të ketë marrë raportin e komisionit do të bëjë dëmshpërblimin 100 për qind të shtëpive të dëmtuara. Përveç kësaj, “Bankers” do të hyjë në negociata direkte me banorët nëse ka pretendime për dëmshpërblim më të lartë se ai që ka vendosur komisioni që përdor tarifat shtetërore për dëmshpërblimet.

Të hënën komisioni fillon vlerësimin e tokës bujqësore të dëmtuar, plani është që “Bankers” të marrë me qera të gjithë tokën bujqësore të dëmtuar dhe të fillojë procesin e rehabilimit dhe rikthimit të saj në gjendjen e mëparshme. Ne do vazhdojmë punën për të riparuar dëmin që shkaktuam.

Në rrugën kryesore ka nisur puna për pastrimin, rehabilitimin dhe shtrimin. Përveç kësaj, “Bankers” ka vënë në dispozicion autobotë për të kryer furnizimin me ujë të pijshëm për banorët. Ndërkohë që po mendohet të zgjidhet edhe problemi i ujit në fshat, sepse ky incident ka patur ndikim tek puset e ujit.

“Bankers” do mendojë për zgjidhjen e këtij problemi. Nëse do bëhet me puse individuale apo komunale, kjo mbetet për t’u diskutuar, por këto janë disa nga gjërat që po bëjmë për zgjidhjen e situatës së emergjencës.

Ndërkohë ne do shikojmë edhe programin e investimeve tona për komunitetin, kemi disa shtylla të programit, që janë investimet në arsim, në mjekësi dhe në përmirësimin e infrastrukturës. Të gjitha këto pika ngelen në një moment të dytë, pasi të zgjidhet kjo fazë”, deklaron Hodgson.

Numri dy i “Bankers Petroleum” thotë se 20 familjet që nuk jetojnë në shtëpitë e tyre për shkak se ato ndodhen në zonën e prekur marrin një dietë ditore, duke filluar që nga momenti i ndodhjes së incidentit dhe kjo dietë mbulon shpenzimet e tyre ditore të strehimit dhe ushqimit, të lëvizjes dhe akomodimit.

Top Channel