Mësuesit, në protestë për kontratën. Sindikalistët paralajmërojnë edhe grevë

10/04/2015 00:00

Sindikalistë nga i gjithë vendi, me pankarta në duar kanë protestuar nga sheshi “Skënderbej” drejt Ministrisë së Arsimit në Tiranë, duke kërkuar lidhjen e kontratave kolektive për mësuesit, si dhe për të kundërshtuar testimin që do t’iu bëhet mësuesve.

“Ne jemi të vendosur për realizimin e tri kërkesave tona të ligjshme. Nënshkrimin e kontratës kolektive të punës brenda muajit Prill 2015, për të kundërshtuar testimin e paligjshëm të mësuesve, dhe për të kundërshtuar amendimin e nenit 60 të ligjit të Arsimit Parauniversitar, i cili bën fjalë për marrjen dhe largimin e mësuesve nga puna, duke ia hequr këtë të drejtë Komisionit dhe e lë në duart e drejtorëve të shkollave”, tha Novruz Kaptelli, sindikalist.

Sindikalistët e Arsimit paralajmërojnë moszhvillimin e orës së parë të mësimit nga mësuesit, ditën e hënë në datë 20 Prill, në shenjë proteste për realizimin e kërkesave të tyre.

Por sekretari i Përgjitshëm në Ministrinë e Arsimit, Plarent Ndreca hedh poshtë çdo pretendim të sindikalistëve, duke u shprehur se lidhja e kontratave kolektive është vonuar për shkak se sindikatat nuk kanë paraqitur akt noterial për përfaqësueshmërinë si grup sindikal, siç e kërkon dhe Kodi i Punës.

“Kjo është konstatuar nga komisioni i ngritur për këtë çështje, se dokumentacioni i sjellë nga dy grupet sindikaliste nuk është në përputhje me ligjin dhe konkretisht me Kodin e Punës. Të dy grupet sindikaliste nuk kanë sjellë aktin e parashikuar nga ky Kod, kemi vijuar diskutimet me këto grupe, iu kemi kërkuar zyrtarisht brenda një afati 15-ditor të sjellin pikërisht këtë akt noterial. Ndërkohë që edhe pas konsumimit të këtij afati, grupet sindikaliste nuk e kanë sjellë këtë akt, i domosdoshëm për të bërë të mundur lidhjen e një kontrate kolektive, pra për të bindur punëdhënësin që grupi sindikalist ka përfaqësueshmërinë e duhur”, u shpreh Plarent Ndreca, sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Arsimit.

Sipas Ndrecës, Ministria e Arsimit iu është drejtuar Ministrisë së Drejtësisë dhe Drejtorisë së Pajtimit Kombëtar, për të zgjidhur sipas ligjit këtë ngërç të krijuar, ndërkohë që mbeten ende në fuqi efektet e kontratës së vjetër kolektive. Lidhur me testimin e mësuesve, Ndreca shpjegoi se nuk ka të bëjë me cënimin e vendit të punës për askënd, por ky testim do të shërbejë si një orientim për të trajnuar mësuesit.

Top Channel