Twitter mbyll profilet e xhihadistëve

10/04/2015 00:00

Twitter njoftoi se brenda një dite, në datën 2 Prill, ka bllokuar gati 10 mijë profile, të lidhura sipas gjasave me ekstremizmin islamik. Menaxherët e medias sociale vendosën ta hedhin këtë hap, pas pikasjes së disa mesazheve, që përmbanin sipas tyre “kërcënime të dhunshme”.

Lajmin e përcjell e përditshmja prestigjioze amerikane “New York Times”. Gazeta njujorkeze saktëson megjithatë se, verifikimi i pavarur i këtyre pohimeve nuk ka qenë i mundur, sepse edhe të dhënat e ofruara prej rrjetit në fjalë nuk bëhen publike.

Megjithatë, nëse vërtetohet, ky do të jetë aksioni më i madh i ndërmarrë ndonjëherë nga Twitter kundër ISIS-it, që në pohimet e disa ekspertëve rezulton të ketë të paktën 90 mijë profile simpatizantësh apo edhe anëtarësh të grupit ekstremist.

Lëvizja vjen pas një vale kritikash të ashpra të drejtuara rrjetit social, që akuzohet se i ka lejuar Shtetit Islamik shfrytëzimin e internetit për përhapjen e videove dhe mesazheve të propagandës së tij të dhunës.

Deri tani, Twitter kishte njoftuar bllokimin e gati 2 mijë profileve në muajt e fundit. Funksionari që ofroi shifrat e fundit ka preferuar të ruajë anonimatin për arsye sigurie. Ai shpjegoi se aksioni është pasojë edhe e presioneve të aktivistëve, që prej 6 muajsh kërkonin me forcë të ndërhyhej për ndalimin e përhapjes së propagandës xhihadiste në internet.

Top Channel