Mitrovicë e Veriut, sulmohen shqiptarët dhe boshnjakët

10/04/2015 00:00

Brenda një intervali të shkurtër kohor, prej orës 13:00 deri 14:30 janë shënuar 3 raste të ndara të sulmeve fizike në Mitrovicën e Veriut.

Kjo është konfirmuar për Top Channel nga zëvendëskomandanti i Policisë së Kosovës për Mitrovicën e Veriut, Besim Hoti.

Hoti tha se viktima të sulmeve, në dy raste janë persona me kombësi shqiptare dhe në një rast persona me kombësi boshnjake.

Viktimat kanë pësuar lëndime trupore dhe janë dërguar për trajtim në Qendrat Spitalore në Mitrovicë, ndërkohë që Policia e Kosovës ka shtuar masat e sigurisë me qëllim parandalimin e këtyre konflikteve.

Zëvendëskomandanti Hoti tha se Policia e Kosovës dhe Prokuroria po merren me rastet, ndërsa deri më tani nuk janë të njohur as autorët e sulmeve, e as motivet.

Hoti bëri të ditur se Policia e Kosovës është duke punuar për identifikimin e autorëve të sulmit, në bazë të pamjeve të kapura nga kamerat e sigurisë në ato pjesë të qytetit.

Një serb sulmohet me thikë në veri të Mitrovicës

Më herët gjatë ditës u raportua se një qytetar serb kishte marrë lëndime të rënda pasi u sulmua me thikë në kafenenë “Dolce Vita” në veri të Mitrovicës, gjatë një përleshjeje mes disa personave. Drejtori i Policisë për Rajonin e Mitrovicës, Nehat Thaçi tha përmes telefonit për Top Channel se po këqyrnin kamerat e sigurisë që ndodhen mbi urën e lumit Ibër, për të identifikuar personat e dyshuar, dhe deri atëherë ende nuk dihej përkatësia etnike e tyre.

Dyshohet se agresorët kaluan nga jugu i qytetit përmes urës kryesore, për të shkuar te lokali në veri, ku janë përleshur me tre të rinjtë serbë. Menjëherë pas përleshjes, sipas dyshimeve të para, sulmuesit janë kthyer sërish përmes urës, në jug të qytetit.

Zëvendëskomandanti i Policisë për veriun e Mitrovicës, Besim Hoti e ka konfirmuar ngjarjen, por edhe ai nuk e ka përmendur përkatësinë etnike të sulmuesve. Sipas Hotit, ende nuk dihen motivet e kësaj ngjarjeje.

Meqenëse gjithçka është zhvilluar në afërsi të patrullave të policisë në urën mbi lumin Ibër, komanda e veriut ka marrë vendim që të pezullojë tre agjentë të etnisë serbe, që ndodheshin në detyrë, për shkak të neglizhencës dhe moskapjes së asnjë të dyshuari.

Agjencia “Kosovapress” bëri të ditur se pezullimi ka ardhur pas reagimit të ashpër nga ana e kryetarit të komunës së Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiç, i cili menjëherë pas incidentit mblodhi në një takim drejtuesit lokalë të policisë dhe kryetarin e strukturave ilegale serbe, Aleksandar Spiriç.

Incidentin në veri të Mitrovicës e ka dënuar edhe shefi i zyrës së Bashkimit Evropian, Samuel Zbogar, i cili deklaroi se dhuna është e papranueshme dhe i dëmton përpjekjet për normalizim të gjendjes në Mitrovicë dhe pajtimin mes komuniteteve. Zbogar bëri thirrje për vetëpërmbajtje nga të dyja palët dhe kërkoi nga autoritetet kompetente, që të bëjnë të pamundurën në zbardhjen e këtij incidenti.

Top Channel