Korrupsioni, “brejtësi” i ekonomisë kosovare

10/04/2015 00:00

Korrupsioni në Kosovë po pengon zhvillimin ekonomik dhe duhet të luftohet me hapa konkretë e  jo vetëm me fjalë. Bazuar në raportin e Odës Ekonomike Amerikane, me titull “Gjendja e Biznesit Kosovar”, 32 për qind e bizneseve thonë se kanë hasur në korrupsion gjatë aktiviteteve të prokurimit publik.

Raporti u prezantua në një tryezë të organizuar nga kjo odë. Hasan Preteni, drejtor i Agjencisë Kundër Korrupsionit ka fajësuar sistemin e drejtësisë, konkretisht gjyqësorin dhe prokurorinë, të cilave sipas tij u mungon vullneti për ta luftuar fenomenin.

“Njohuritë e prokurorëve për ligjin e prokurimit janë bazike, ose nuk ekzistojnë fare. Dy prokurorë hetojnë të njëjtin rast, të gjitha këto janë pjesë e raportit që mbështetet në fakte konkrete dhe nuk ka të bëjë me çështje të perceptimit. Ka raste kur prokurorët tërhiqen nga aktakuzat gjatë procedurës gjyqësore. Përfundimisht nuk ka vullnet. Gjyqësori, siç e shihni, është duke u marrë me vetveten. Nga gjyqtarët pritet të vendosin për çështje shumë të rëndësishme, ndërsa ata nuk mund të zgjidhin as problemet e veta dhe rastet po i dërgojnë në Kushtetuese”, deklaroi Preteni.

James Hope, drejtor i misionit të USAID në Kosovë, tha se strategjitë e hartuara duhet të zbatohen dhe të mos mbeten më në letër.

“Korrupsioni është ndoshta pengesa më e madhe për zhvillim ekonomik në Kosovë. Ryshfeti, parregullsitë, përmbarimi tek kontratat janë realitete me të cilat bizneset ballafaqohen në Kosovë. EBRD ka theksuar në raportin e vet se, korrupsioni është një prej tre problemeve kryesore në të bërit biznes në Kosovë. Ne e dimë që efektet e korrupsionit prekin të gjitha nivelet e shoqërisë dhe jo vetëm pronarët e bizneseve. Kostoja e tij shtrihet edhe përtej çmimit të ryshfetit”, tha Hope.

“Prania e korrupsionit ngulfat dhe pengon zhvillimin e bizneseve të cilat promovojnë vlera të shëndosha të afarizmit. Prania e korrupsionit pamundëson përfshirjen e aktivitetet të prokurimit publik të bizneseve që garojnë me oferta ekonomikisht më të favorshme dhe me produkte më cilësore. Pa dyshim që prania e korrupsionit ndikon në keqmenaxhimin dhe shpenzimin joefikas të parave të tatimpaguesve”, tha më tej Arian Zeka, kryetar i Odës Ekonomike Amerikane.

Ndërsa Adi Shita, sekretar i përgjithshëm i bordit të guvernatorëve të OEA, tha se korrupsioni po i largon investitorët e huaj nga Kosova.

Top Channel