Të rinj, që premtojnë se basketbolli mund t’i rikthehet lavdisë së dikurshme. Në pallatin e sportit “Asllan Rusi” u zhvillua të hënën finalja e moshave U16, mes Marsi Basket e Superior Klima.

Gjithçka është kontribut dhe sakrificë e vetë të rinjve, si në aspektin sportiv, ashtu edhe në atë financiar. Ky kompeticion u mbështet financiarisht nga prindërit e tyre. Janë ata që paguajnë për çdo gjë, si për stërvitjet, sallat e ndeshjeve, e deri te federimet apo gjobat për ndërhyrje të gabuara teknike.

Në përfundim të ndeshjes, e cila u zhvillua në një atmosferë shumë elektrizuese për të dytin vit radhazi, kampion u shpall Superior Klima. Në mesin e Superior Klimës, udhëheqësi është Elion Osmani me 33 pikë të realizuara, i ndjekur nga Eldi Hysa me 14 pikë, e Rei Ruçaj me 13 pikë.

Ndërsa për Marsi Basket spikatën në parket Kejdi Teranaj me 17 pikë, Xhoen Tugu me 13 pikë të shënuara, si dhe Gersi Hoxha me 11 pikë, por të pamjaftueshme për t’u “hakmarrë” pas humbjes së një viti më parë.

* Nikola Troqe është një fëmijë i jashtëzakonshëm. Megjithëse vetëm 15 vjeç, ai ka çelur një ekspozitë personale pikturash, të cilën e prezantoi edhe në “Pasdite në Top Channel”. Nxënësi i klasës së 9 në shkollën “At Zef Pllumi”, në Tiranë, megjithëse i diagnostikuar me autizëm, asgjë nuk e ka penguar madje as të fitojë çmime në disa konkurse, ku ka marrë pjesë.

Këtë të hënë, ekspozita e Nikolës është vizituar nga të gjitha klasat e shkollës së tij dhe ai, me durim e qetësi udhëheq drejt botës së tij artistike, duke dhënë shpjegime për secilën prej punëve të varura në mur. Nikola shkëlqen jo vetëm në pikturë, por edhe në muzikë, matematikë e informatikë.

* Të gjithë mund të punojnë dhe askush nuk duhet paragjykuar. Për herë të parë, Qendra e Zhvillimit Rezidencial në Durrës ka nisur trajnimin e personave me nevoja të veçanta, për t’iu mundësuar aftësimin e tyre në punë si rrobaqepës, kuzhinier etj. Ata treguan në “Pasdite në Top Channel” sesi po ua ndryshojnë jetën këtyre njerëzve.

* Për ta asgjë nuk është e papërdorshme, megjithëse mund të ketë përfunduar funksionin parësor. Një kullesë makaronash kthehet në abazhur, çizmet bëhen vazo lulesh, e kështu me radhë.

Kjo është idea e Gjergji Gjokës, e cila gjeti mbështetjen e njërit prej shokëve më të mirë, Marius Hasanit, dhe bashkërisht hapën një lokal, mjedisi i të cilit është konceptuar që nga fillimi me materiale të riciklueshme. E për fatin e tyre të mirë janë të shumtë njerëzit, që frekuentojnë ambientin e tyre.

Top Channel