“Lojërat e fatit”, tension në Komisionin e Ligjeve

10/04/2015 00:00

Një deklaratë e drejtoreshës së Lojërave të Fatit në komisionin parlamentar të ligjeve shkaktoi tensione dhe debate mes saj dhe kreut të komisionit, Fatmir Xhafa.

Pa nisur zyrtarisht mbledhja, pyetja e deputetit Pandeli Majko, nëse ndokush nga deputetët ka konflikt interesi me lojërat e fatit, solli përgjigjen surprizë të drejtoreshës Luneda Sufali, e cila tha se, të gjithë kanë konflikt, pasi të gjithë luajnë në to.

Por nëse deri këtu mbledhja pati edhe tone humori, ajo nuk mbeti më e tillë pas tërheqjes së vëmendjes nga kryetari Fatmir Xhafa, përmes pyetjes së tij drejtuar drejtoreshës, se cili ishte posti i saj, për të cilin ajo u përgjigj me ironi se punonte si pastruese.

“Dil përjashta. Mëso rregulloren, nuk është vend për pastruese ky. Zoti ministër, thuaji të dalë jashtë”, replikoi Xhafa.

Oerd Bylykbashi gjithashtu u distancua nga deklarata e zonjës Sufali se të gjithë deputetët luajnë në lojërat e fatit. Kjo bëri që projektligji i ri për këtë kategori lojërash të mbrohet vetëm nga ministri i Financave.

Ndërkohë, komisioni i ligjeve miratoi ligjin për energjinë. Opozita kundërshtoi nenin që parashikon sekuestrimin e shtëpisë së qiradhënësit, në rast se qiramarrësi nuk paguan energjinë.

Ndryshimi i vetëm i bërë në komisionin e ligjeve ishte kufiri i pagesës për të cilin bëhet sekuestrimi i shtëpisë nga 150 mijë në 300 mijë lekë.

Top Channel