Meta: Fitojmë më 21 Qershor. Rëndësi edhe anëtarët e Këshillave Bashkiakë

10/04/2015 00:00

I pranishëm në mbledhjen e Komitetit Drejtues Kombëtar të Lëvizjes Rinore për Integrim, Ilir Meta shprehu bindjen se Aleanca për Shqipërinë Europiane do të fitojë në zgjedhjet e 21 Qershorit.

Sipas Metës, për herë të parë që pas rënies së diktaturës Shqipëria do të ketë një pushtet vendor real, falë reformës së re administrativo-territoriale, të cilën ai nuk ngurroi ta quante “historike”.

“LSI është në një lëvizje të pandalshme, të vazhdueshme, në aksion me shpirtin e iniciativës dhe sipërmarrjes dhe kjo do të dëshmohet më së miri në zgjedhjet vendore. Për herë të parë në 21 Qershor do të themelohet një pushtet real vendor, sipas ndarjes së re territoriale. Reforma territoriale ishte historike pasi ndau për herë të parë pushtetin vendor nga regjimi i vjetër”, deklaroi Meta.

Në fjalën e tij para të rinjve, kreu i Kuvendit theksoi se pas 21 Qershorit do të krijohen shanse të reja për rininë shqiptare, ndaj dhe sipas tij duhen persona të aftë për të menaxhuar këto oportunitete.

“Pas 21 Qershorit do të ketë shanse të reja, ndaj duhen jo vetëm kandidatë por edhe njerëz të tjerë të aftë për të ndryshuar qeverisjen e deritanishme dhe për të sjellë një qeverisje vendore të re. Kjo qeverisje e re duhet të zhvillojë komunitetet dhe t’u shërbejë atyre në mënyrën më të denjë”, u shpreh Meta.

Në këtë aspekt, Meta cilësoi si tejet të rëndësishëm dekriminalizimin e politikës, proces që sipas tij duhet të largojë politikën arrogante dhe ata politikanë që ai i quajti “primitivë”, si dhe reformën në arsim, e cila duhet t’i japë fund diplomimit fiktiv.

“Unë jam i bindur se zgjedhjet e 21 Qershorit do të konfirmojnë një mbështetje të gjerë për Aleancën për Shqipërinë Europiane, sepse kjo aleancë ka bërë dhe bën përpjekje të mëdha për të adresuar problemet më të rëndësishme të vendit, përmes reformave të guximshme, natyrisht edhe të vështira, të cilat kanë qenë dhe mbeten të paevitueshme”, theksoi udhëheqësi i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Meta.

Duke u ndalur te këto zgjedhje, Meta theksoi se një rol të rëndësishëm, veç kryetarëve të Bashkive do të kenë dhe anëtarët e Këshillave Bashkiak. Ndërsa lidhur me vendimin për kuotat e barabarta mes meshkujve dhe femrave, kjo gjë sipas Metës do të ndihmojë politikën shqiptare.

“Pjesëmarrja më e madhe e vajzave, grave në Këshillat Bashkiakë, në Parlament, në jetën institucionale, ekonomike e shoqërore, sjell një kulturë të re, një standard të ri, larg arrogancës dhe për fat të keq, shpesh herë edhe dhunës”, tha kryeparlamentari Meta.

Top Channel