Nis rikonstruksioni i rrugës Berat-Skrapar

10/04/2015 00:00

Në rrugën që konsiderohet si më problematike për qarkun e Beratit kanë nisur këtë të premte punimet për rikonstruksionin e saj.

Aksi Berat-Skrapar, në të cilin kalohet për të arritur edhe lagjen periferike të Uznovës, prej vitesh ishte lënë në gjendje të mjeruar. Udhëtarët prej kohësh ankoheshin se vuanin pasojat e një rruge tërësisht të shkatërruar.

Por falë akordimit të fondit të posaçëm nga Ministria e Transporteve, këtë të premte kanë nisur punimet për segmentin e parë nga Uznova në drejtim të fshatit Vodicë.

Segmenti në fjalë, i shkatërruar totalisht edhe nga lëvizja e mjeteve të tonazhit të rëndë dhe pllakave të gurit, pritet të ndryshojë shumë shpejt pamje, ndërsa punimet do të vazhdojnë deri në plotësimin e tërë aksit rrugor, deri në Bashkinë Çorovodë.

Kryetari i Këshillit të Qarkut, Petrit Sinaj deklaroi se, fondi për nisjen e punimeve në këtë segment është 60 milionë lekë.

“Rikonstruksioni i këtij segmenti do të pasohet nga segmenti tjetër, për t’i dhënë fund njëherë e mirë gjendjes problematike të kësaj rruge”, deklaroi Sinaj.

Top Channel