Obama-Castro, telefonatë para takimit në samit

10/04/2015 00:00

Presidenti amerikan Barack Obama dhe ai kubanez Raul Castro kanë zhvilluar një bisedë telefonike para samitit të vendeve amerikane në Panama.

Lajmin e ka bërë të ditur nënkëshilltari për sigurinë kombëtare në Shtëpinë e Bardhë, Ben Rhodes, i cili ka nënvizuar se pjesëmarrja e Kubës në Samit është një fakt historik që tregon evoluimin e marrëdhënieve SHBA-Kubë.

“Havana dhe Uashingtoni po ecin përpara me procesin për rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike”, ka shkruar ndërkohë gazeta kubaneze “Granma”, pas takimit mes ministrave të Jashtëm të dy vendeve.

Në komentin e shkurtër, gazeta kujton nisjen katër muaj më parë të fazës së shkrirjes së akujve dhe hapjes së një kapitulli të ri në historinë e marrëdhënieve të vështira mes dy vendeve.

Dy presidentët, Obama dhe Raul Castro, do të kenë mundësi të takohen gjatë samitit, eveniment që do të shënojë takimin e nivelit me të lartë diplomatik mes Uashingtonit dhe Havës pas më shumë se gjysmë shekulli.

Ata nuk pritet të zhvillojnë një takim dypalësh, por natyrisht që do të shtrëngojnë duart gjatë punimeve dyditore. Kuba merr pjesë në këtë samit për herë të parë që prej vitit 1962, bashkë me 35 liderë të tjerë të Amerikës Latine, përfshirë këtu Nicolas Maduro të Venezuelës dhe Dilma Roussef të Brazilit.

Obama ka mbërritur tashmë në Panama nga Xhamajka, prej nga tha se ka ndërmend të kërkojë heqjen e Kubës nga lista e zezë e vendeve që financojnë terroristin.

Top Channel