Jahjaga, takim për qasjen në drejtësi të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës

10/04/2015 00:00

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga priti në një takim kryesuesin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Enver Peci; udhëheqësin në detyrë të Këshillit Prokurorial të Kosovës, Sylë Hoxha; zëvendësministrin e Drejtësisë, Lirak Çelaj, si dhe përfaqësuesen e EULEX-it, kryeprokuroren Jaroslava Novotna.

Në këtë takim u diskutua rreth hapave, që duhet të ndërmerren për hartimin e një plani veprimi për garantimin e qasjes në drejtësi për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës, kërkesë kjo nga takimi i fundit i Këshillit Kombëtar për të Mbijetuarit e Dhunës Seksuale gjatë Luftës.

Presidentja Jahjaga tha se qasja në drejtësi është e drejtë themelore dhe kushtetuese për secilin qytetar të vendit, ndërsa theksoi se edhe 16 vjet pas luftës ende nuk ka asnjë person të gjykuar për krimet e dhunës seksuale gjatë luftës.

Ajo theksoi nevojën, që këto raste të trajtohen me prioritet nga institucionet e vendit, prandaj edhe duhet të ndërtohen mekanizmat dhe kapacitetet e nevojshme të specializuara për të garantuar trajtimin e denjë të këtyre rasteve.

Zëvendësministri i Drejtësisë, Lirak Çelaj e njoftoi Presidenten se është formuar grupi i punës për të përpiluar një plan veprimi për strategjinë, që do të udhëheqë trajtimin dhe adresimin e rasteve të kësaj kategorie të krimeve të luftës, i cili pritet të jetë i gatshëm në fund të muajit Prill.

Ndërsa udhëheqësi në detyrë i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Sylë Hoxha, dhe kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Enver Peci shprehën gatishmërinë e institucioneve që drejtojnë, për të trajtuar me prioritet këto raste dhe për të bashkëpunuar ngushtë me institucionet e tjera dhe organizatat joqeveritare të grave.

Përfaqësuesja e EULEX, Jaroslava Novotna shprehu përkushtimin e këtij misioni për të asistuar institucionet e vendit në këtë proces.

Top Channel