Prishtinë, arrestohet drejtori i Urbanizimit nga VV, Liburn Aliu

10/04/2015 00:00

Lëvizja Vetëvendosje njofton se Policia e Kosovës ka arrestuar mbrëmjen e së premtes drejtorin për Urbanizim, Ndërtim dhe Mbrojtje të Mjedisit në Komunën e Prishtinës, Liburn Aliu. Policia e Kosovës ka konfirmuar arrestimin e tij.

Zyrtari për informim i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha tha për Top Channel se, pas marrjes në pyetje të palëve të përfshira gjatë ditës në konflikt, prokurori i çështjes ka caktuar masën e ndalimit prej 48 orësh për Liburn Aliun.

Rasti është në procedurë të rregullt dhe në pritje të një vendimi nga ana e gjykatës.

Më herët gjatë ditës, grupi i këshilltarëve komunalë të PDK-së dhe LDK-së, gjatë një konference të përbashkët kanë akuzuar drejtorin e Urbanizimit në Komunën e Prishtinës, Liburn Aliu, se ky i fundit ka sulmuar fizikisht asambleistin e PDK-së, Muhamet Selmanin, duke kërkuar shkarkimin e Aliut.

Përfaqësuesi i PDK-së, Lirak Çelaj tha se Aliu e ka sulmuar asambleistin e PDK-së në mungesë të argumenteve, gjatë diskutimit për planin e lagjes “Arbëria”.

“Libruni ka qenë i armatosur”, ka pohuar Çelaj, gjë për të cilën ka marrë konfirmim nga një polic, i cili ishte në vendin e ngjarjes.

Sami Hamiti nga LDK-ja ka thënë se, nga mungesa e argumenteve opozitarët po bëjnë sulme të dhunshme. “Po përdorin shpifje, e tani po përdorin edhe dhunën fizike për të realizuar qëllimin e tyre”, ka thënë Hamiti.

Ndërsa Muhamet Selmani tha se “më kanë ofenduar nga familja, e më pas më ka goditur pas koke”.

Lidhur me rastin ka reaguar nënkryetari Komunës së Prishtinës, Dardan Sejdiu. “Posaçërisht ka qenë asambleisti Muhamet Selmanaj, ai që në tri seancat e fundit ka kërcënuar asambleistë të Vetëvendosjes, më ka fyer mua dhe ka akuzuar rëndë Liburnin në seancën e sotme. Pastaj ka ndodhur një incident, mes drejtorit Aliu dhe asambleistit Selmanaj, si pasojë e fyerjeve dhe akuzave të rënda, që kanë ndodhur në seancat e fundit”.

Top Channel