Itali, masakra e Milanos, autori: Do vazhdoja të vrisja

10/04/2015 00:00

“Faleminderit që më ndaluat, bëtë shumë mirë sepse do të kisha vrarë sërish dhe më pas do të kisha vrarë veten”.

Janë këto fjalët shokuese të thëna nga Claudio Giardiello, autori i masakrës së një dite më parë në Gjykatën e Milanos në Itali, në momentin që karabinierët i kanë vënë prangat.

Sipas raportimeve të mediave italiane online, në momentin e ndalimit, pasi ishte arratisur nga gjykata me një motor, Giardiello e kishte ende pistoletën dhe plumbin në tytë.

“Gjykata më ka shkatërruar, ai vend është origjina i të gjitha të këqijave të mia”, ka thënë gjithashtu Giardiello, teksa është marrë në pyetje nga hetuesit, të cilëve u ka pohuar se ka vepruar për hakmarrje.

Ndërkohë, në Pallatin e Drejtësisë të Milanos janë përforcuar kontrollet tek hyrja, pasi autori i krimit të trefishtë hyri me anë të një tesere të falsifikuar.

Faktikisht një dokument i tillë lejon që në këtë godinë të hyjnë gjykatës, prokurorë, avokatë, gazetarë, etj. Menjëherë brenda është vendosur edhe një karabinier, prania e të cilit përforcohet nga disa roje private.

Ndërkohë, në një hyrje tjetër të rezervuar për publikun është vendosur një zbulues metalesh, gjë që gjatë së premtes ka bërë që të krijohet një rradhë e gjatë.

Claudio Giardiello u paraqit të enjten në gjyq për t’u përballur me akuzën e mashtrimit me anë të falimentimit të një kompanie pronash të patundshme që ai zotëronte.

Pasi avokati i tij hoqi dorë nga mandati gjatë procesit, ai nxorri armën dhe qëlloi për vdekje atë dhe një dëshmitar, si dhe plagosi një të pranishëm, të ulur në vendin rezervuar publikut.

Më pas ai zbriti një kat më poshtë, në zyrën e gjyqtarit të çështjes, të cilin e ekzekutoi me pistoletën e tij duke i qëlluar tre herë.

Varrimi i të ndjerëve u bë gjatë ditës pas homazheve të kryera në një nga kishat e qytetit, ku pjesëmarrja ishte e madhe.

Top Channel