Kryepiskopi Anastas, mesazh për Pashkët besimtarëve ortodoksë

11/04/2015 00:00

Përmes një mesazhi, Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë, Anastasi, u ka uruar Pashkët të gjithë besimtarëve ortodoksë.

Në mesazhin e tij, Kryepiskopi Anastasi nënvizon se “dinjiteti i brendshëm duhet të shprehet dhe të rrezatojë, direkt ose indirekt, në jetën sociale, pranimin dhe respektimin e dinjitetit të çdo njeriu”.
 
“Pavarësisht origjinës, pozitës sociale ose bindjeve të tij, tjetri, si person njerëzor, është edhe ai i krijuar ‘sipas ikonës së Perëndisë’, meqenëse mbarë njerëzimi erdhi nga çifti i parë që krijoi Perëndia. Ky ndërgjegjësim e udhëheq besimtarin në një qëndrim më të gjerë respekti e dashurie. Dhe për më tepër, në përpjekjen për mbrojtjen e dinjitetit të bashkënjerëzve tanë, që kërcënohen nga padrejtësia, varfëria, sëmundjet, papunësia, injoranca shpirtërore, aksidentet, të cilat çojnë në dëshpërim dhe mjerim”, vijon më tej mesazhi.
 
“Në ditën e gëzuar të Pashkës, Kisha jonë na fton të ndërgjegjësohemi se dinjiteti është kryesisht çështje e brendshme, lidhet me bërthamën e personalitetit njerëzor. Na fton të përjetojmë dinjitetin, si përvojë ngjallësore, të dëlirësuar brenda dhimbjes së Kryqit, të mbushur me energjinë dhe shkëlqimin e Ngjalljes. Ajo na thërret të bëhemi të ndërgjegjshëm për misterin e personit njerëzor dhe për qëllimin tonë final. Njëkohësisht na frymëzon të bëhemi qeliza jetësore të shoqërisë, të cilat përpiqen për dinjitetin e bashkënjerëzve tanë dhe të popujve që iu është bërë padrejtësi… Dinjiteti i krishterë, në përgjithësi, u kundërvihet gjendjeve të këqija të shoqërisë sonë. I kundërvihet aktivitetit kriminal dhe mentalitetit fanatik fetar. Ai është kundër fuqive të ndryshme demoniake të padrejtësisë dhe korrupsionit, të cilat përhapin erën e keqe të Hadhit në shoqërinë tonë. Ky dinjitet, i çliruar nga dëshira për hakmarrje dhe nga frika, karakterizohet nga ndjeshmëria për ta shprehur solidaritetin social me vepra”, shprehet në mesazhin e tij të urimit, Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë.

Top Channel