Mijëra banorë besimtarë të Athinës i janë bashkuar të premten në mbrëmje procesionit të Epitafit, varrit simbolik të Krishtit, të udhëhequr nga Kryepeshkopi Ieronimos, si pjesë e festimeve të Pashkëve ortodokse greke.

E premtja e Javës së Shenjtë, e quajtur tradicionalisht si e Premtja e Madhe, është një ditë zie për krishtërimin sepse përkujton vuajtjet e Jezu Krishtit dhe vdekjen e tij në kryq.

Sivjet, më shumë se kurrë, festimet e Pashkëve janë më të zbehta për shkak të vështirësive ekonomike që përballon vendi, ndërsa qytetarët që morën pjesë në ceremoninë solemne shpresojnë se ringjallja e Krishtit do të sjellë ringjalljen për vendin.

“Unë uroj paqe dhe dashuri për të gjithë njerëzit, një ringjallje personale për të gjithë dhe një ringjallje të ekonomisë së këtij vendi”, thotë një banore e Athinës.

Vlerësimet e analistëve të huaj pohojnë se Greqia ka para’ vetëm për disa javë dhe se e vetmja rrugë për të marrë ndihmën ekonomike nga partnerët europianë janë reformat strukturore dhe financiare.

Radikalët e majtë që udhëheqin prej janarit të këtij viti, kanë vetëm gjashtë ditë afat për të përmirësuar një paketë masash që do t’u çohen për miratim ministrave të vendeve të Eurozonës, por përmirësimi i tyre bie ndesh në përgjithësi me shkeljen e disa premtimeve elektorale.

Sipas ‘Washington Post’, si pasojë e krizës ekonomike, grekët kanë humbur në këto pesë vjet çdo gjë që kanë fituar në tre dekadat e fundit. Niveli i jetesës së të varfërve është kthyer në vitin 1980, kurse ai i të pasurve në nivelin e viti 1985. Nuk është aspak e tepërt, përfundon gazeta, të thuhet se Pashkët e sivjetshme i gjejnë vërtet grekët në një krizë humanitare dhe sfida e vërtetë për ta është të dalin sa më shpejt prej saj.

Top Channel