Maqedoni, shpërthim pranë Kryeministrisë, nuk ka të lënduar

11/04/2015 00:00

Një shpërthim i fuqishëm është dëgjuar mbrëmjen e së premtes, rreth orës 21:00, në afërsi të selisë së Qeverisë në Shkup.

Policia, e cila ka rrethuar vendin e ngjarjes menjëherë pas shpërthimit, ka gjetur mbetjet e një predhe vetëm pak metra në të afërsi të godinës qeveritare.

Nga sulmi nuk ka pasur persona të lënduar dhe as dëme materiale. Pjesët e gjetura të mjetit shpërthyes janë marrë për ekspertizë nga policia, e cila ka kontrolluar edhe regjistrimet e kamerave të sigurisë që ndodhen pranë selisë së Qeverisë.

Ministria e Punëve të Brendshme ka njoftuar se nuk ka persona të dyshuar dhe ende nuk dihen motivet e këtij shpërthimi. Ndërkohë, askush nuk e ka marrë përgjegjësinë për sulmin.

Një shpërthim i ngjashëm në afërsi të selisë së Qeverisë u regjistrua edhe në tetor të vitit të kaluar. Por, ky rast ende ka mbetur i pandriçuar, njësoj si sulmet ndaj stacioneve policore në Tetovë e Kumanovë, që ndodhën katër muaj më parë.

Top Channel