Bushati, vizitë zyrtare në Çeki: Të intensifikojmë bashkëpunimin ekonomik

11/04/2015 00:00

Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, përgjatë vizitës zyrtare dyditore në Republikën Çeke dhe takimeve me me Kryeministrin Sobotka, kreun e Parlamentit, Hamaçek dhe homologun e tij, Zaoralek, kërkoi intensifikimin e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve.

Zyra e shtypit e ministrisë së Punëve të Jashtme, gjatë takimit me homologun e tij Lubomir Zaoralek, u diskutua mbi perspektivën e integrimit të Shqipërisë në BE, duke u fokusuar në avancimin drejt hapjes së bisedimeve për anëtarësim. Bushati falënderoi ministrin Zaoralek për mbështetjen e Çekisë ndaj proceseve integruese dhe parashtroi përpjekjet e Shqipërisë për përmbushjen e 5 prioriteteve kyçe drejt hapjes së negociatave. “Ndihma çeke do të ishte frytdhënëse në këtë proces të rëndësishëm për vendin”, thya ministri Bushati, duke falenderuar gjithashtu edhe për ndihmën që Çekia dha gjatë situatës së përmbytjeve në Shqipëri.
 
Dy ministrat u fokusuan tek bashkëpunimi dypalësh, duke theksuar nevojën për intensifikimin dhe rritjen e mëtejshme të këtij bashkëpunimi, “veçanërisht atij ekonomik”, pasi sipas tyre, “potencialet e bashkëpunimit mes dy vendeve janë tepër të mëdha, ndaj dhe bashkëpunimi ekonomik duhet të jetë më intensiv, duke sjellë qasje dhe projekte konkrete”.
 
Pjesë e diskutimeve ishin edhe politikat rajonale dhe roli i rëndësishëm konstruktiv i Shqipërisë në rajon. Ministri Bushati vlerësoi rolin dhe kontributin e Çekisë për Grupin e Vishegradit (V/4) dhe theksoi se asistenca dhe përvoja e Çekisë në IFV do të ishte tepër e rëndësishme për Shqipërinë për Iniciativën e selisë së WBF, që është ndërtuar duke u bazuar në formatin e V/4-ës.
 
Në përfundim të takimit, dy ministrat e Jashtëm nënshkruan dy dokumente të rëndësishme: Protokollin e Bashkëpunimit midis dy ministrive në fushën e integrimit dhe Deklaratën Juridike për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore.
 
Gjatë vizitës së tij në Pragë, ministri Bushati u prit nga Kryeministri Bohuslav Sobotka dhe Kryetari i Kuvendit Jan Hamaçek. Gjatë këtyre takimeve, u nda mendimi se vizita e ardhshme e Kryeministrit Edia Rama në Pragë do t’i japë shtysë konkrete bashkëpunimit mes dy vendeve, me theks atij ekonomik, me nënshkrimin e disa marrëveshjeve të rëndësishme ekonomike dhe me shoqërimin e Forumit të Biznesit.
 
Ministri Bushati ishte gjithashtu i ftuar në Institutin për Marrëdhënie Ndërkombëtare të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës Çeke, ku mbajti një prezantim me temë: “Shqipëria dhe Ballkani Perëndimor në një kontekst gjeopolitik sfidues”.
 
“Integrimi i Ballkanit Perëndimor është me rëndësi jetike për BE-në. Nga pikëpamja e arkitekturës se sigurisë evropiane, kjo nënkupton sigurinë e krahut juglindor ku aktualisht po ndërtohen linja të rëndësishme energjetike. Shqipëria e ka mbajtur pjesën e saj të përgjegjësisë kur bëhet fjalë për pjesëmarrjen në luftën globale kundër terrorizmit, duke treguar se si një vend i vogël i Ballkanit Perëndimor mund të bëhet një kontribuues për sigurinë globale, nëse gëzon mjaftueshëm mbështetje gjeostrategjike nga aleatët kryesorë. Ne jemi mirënjohës për mbështetjen e vazhdueshme të Çekisë dhe vendeve të Vishegradit. Një produkt praktik i bashkëpunimit ndërmjet Ballkanit Perëndimor dhe vendeve të Vishegradit ka qenë krijimi i Fondit të Ballkanit Perëndimor, i cili do të lançohet së shpejti në Tiranë”, u shpreh Bushati gjatë prezantimit.

Top Channel