Dhuna ndaj të riut në Kaliforni, pezullohen 10 efektivë policie

11/04/2015 00:00

10 policë kalifornianë janë pezulluar përkohësisht nga detyra pas filmimeve që i tregojnë duke rrahur një të dyshuar gjatë arrestimit. Francis Pusok u ndoq prej tyre nëpër të gjithë luginën e San Bernardino-s.

30-vjeçari po largohej me një kalë të vjedhur, por nuk ui shpëtoi dot efektivëve, të cilët e arritën dhe, gjatë ndalimit e rrahën keqas, duke e goditur në kokë e në pjesën e poshtme të barkut.

Skena u filmua nga ajri me helikopter prej një ekipi televiziv që po ndiqte të gjithë ngjarjen. Dhuna zgjat rreth 2 minuta. Pusok, i cili ndryshe nga rastet e fundit që përfshijnë forcat amerikane të rendit në situata të tilla, është i bardhë, u dërgua me urgjencë në spital. Në kamera ai shihet i shtrirë në tokë, krejtësisht i palëvizur.

Avokati mbrojtës i bëri këtë përshkrim asaj çfarë u pa në video: “Për mua, pamjet tregojnë një grup rrugeçërish që rrahin klientin tim”.

Edhe vetë kreu i policisë së zonës, John Macmahon, u tha gazetarëve se pamjet e dhunës e kishin trazuar shumë.

Pezullimet e 10 efektivëve vijnë në mesin e një tjetër stuhie për forcat e rendit në Shtetet e Bashkuara. Vrasja gjakftohtë e afroamerikanit Walter Scott shkaktoi një tjetër dallgë indinjate në vend, ku zemërimi i opinionit publik u ndez sa nga fakti që 50-vjeçari i paarmatosur nuk përbënte asnjë lloj rreziku për policin e bardhë Michael Slager, aq edhe nga përpjekja e këtij të fundit për të mbuluar të vërtetën.

Slager u përpoq të bindte drejtuesit e tij se plumbat e derdhura në shpinën e Scott-it ishin rrjedhojë e kërcënimit që vinte prej tij dhe po të mos kishte dalë në dritë videoja shokuese e një kalimtari të rastit, që dëshmoi krejt të kundërtën, duke demaskuar kështu të gjithë brutalitetin dhe përbuzjen ndaj njeriut, me të gjithë gjasat, sot ndaj policit në fjalë nuk do të ishte ngritur asnjë akuzë.

Top Channel