Rama shpërndan certifikatat e legalizimeve në zonën e ish-Kënetës

11/04/2015 00:00

Ajo që njihet si zona e ish-Kënetës në Durrës, një prej zonave më të
mëdha informale në vend, ishte ndalesa e radhës për Kryeministrin Edi
Rama në shpërndarjen e certifikatave të legalizimeve falas, një premtim
elektoral i Ramës për këta banorë.

“Jemi këtu për të çuar para një proces legalizimesh që për vite me radhë ka pasur shumë dyshime. Në 8 vjet qeverisja e PD-së dha 530 leje legalizimesh në këtë zonë. Në më pak se një vit punë konkrete të ALUIZNI-t ne arrijmë të japim më shumë se dyfishin. Jemi këtu për të dorëzuar 1001 leje nga një proces, ku deri tani janë kryer 60% e matjeve dhe e dokumentacionit të nevojshëm për ta çuar para procesin. Me këtë ritëm, në 4 vitet e ardhshme ne do mund ta përmbyllim procesin e legalizimit në zonën e Kënetës dhe gjithë ata që kanë ndërtuar do të jenë pronarë të ligjshëm të shtëpive së tyre”, tha Rama.
 
Përpara banorëve të kësaj zone, Kryeministri foli edhe për rikandidimin e Vangjush Dakos për Bashkinë e Durrësit.

“Jam i bindur që me kryetarin e Bashkisë në detyrë sot e në detyrë pas zgjedhjeve, ashtu si kemi përmirësuar infrastrukturën e kësaj zonë, do ta kthejmë zonën e Kënetës në një lagje që e meriton të quhet Durrës i Ri”, theksoi Rama.

Vangjush Dako, një ditë pasi PS-ja e zyrtarizoi si kandidaturen e tij për bashkinë e qytetit bregdetar, falenderoi  Ramën për besimin dhe u shpreh se i lumtur “që pas dy viteve premtim që dhamë në këtë zonë, vijmë sot dhe shpërndajmë 1001 leje”.

Top Channel