Londër, policia në kërkim të bandës së grabitësve të gurëve të çmuar

11/04/2015 00:00

Kanë kaluar tre ditë nga vjedhja e bujshme e gurëve të çmuar në rrugën e tregtimit të diamantëve në Londër, Hatton Garden, dhe policia ende kërkon bandën e grabitësve, prej të cilës nuk ka asnjë gjurmë.

Angazhimi i forcave të rendit është maksimal, por tepër i vonuar. Në fakt, nga hetimet fillestare të ngjarjes, rezulton se policia e kryeqytetit britanik nuk i është përgjigjur alarmit, edhe pse ai ka rënë menjëherë për të njoftuar grabitjen.

Është ende shpejt për të pohuar nëse një përgjigje ndaj thirrjes do të kishte pasur efekt mbi grabitjen, thonë zyrtarët. Megjithatë, incidenti po hetohet me vëmendjen të përqendruar tek fakti që telefonata e kompanise ‘Southern Monitoring Alarm’ është vënë në pritje, çka do të thotë se nga policia nuk pati gatishmëri përgjigjeje. Rindërtimi i ngjarjes nga zyrtarët vendas tregon se, grabitësit kanë përdorur pajisje të rënda prerëse për të hyrë në dhomën e sigurisë së Hatton Garden, ku besohet të kenë hapur 60 apo 70 kasaforta.

Vlera e bizhuterive të marra mendohet të mbërrijë në 300 milionë dollarë, çka lë në hije çdo grabitje tjetër të madhe të regjistruar ndonjëherë në Britani.

“Vjedhje në njërën prej depozitave më të mëdha të sigurisë në Hatton Garden gjatë fundjavës së Pashkëve”, shkruante në Twitter ekspertja e gurëve të çmuar, Thelma West. Sipas saj, pikërisht për shkak të festës, tregtarët i kishin lënë një pjesë të mirë të gurëve të çmuar dhe bizhuterive nëpër kasaforta.

Deri më tani, grabitja më e madhe në Britani konsiderohej ajo e depozitave të parave të Securitas në Tonbridge të Londrës në vitin 2006, kur u vodhën gati 77 milionë dollarë kesh.

Top Channel