Haradinaj: Protesta e opozitës do gjejë mbështetje të gjerë

11/04/2015 00:00

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj është shprehur i bindur se protesta e opozitës e thirrur të shtunën e ardhshme do të jetë masive, ndërsa ka theksuar se ajo nuk është thirrur për të thyer xhama apo për të krijuar trazira, por për të ndryshuar situatën.

Haradinaj tha se protesta ka rezultuar një mjet i dobishëm, si në rastin e shkarkimit të një ministri, po ashtu edhe për kombinatin metalurgjik Trepça. Sipas tij, protesta ka mbetur forma e vetme për t’u dëgjuar zëri i fuqishëm i opozitës dhe qytetarëve të pakënaqur me qeverisjen në vend.

“Protesta mund të ndihmojë në uljen e çmimit të energjisë elektrike, apo në çështjet që kanë të bëjnë me informimin e qytetarëve. Pra, që të ketë një ekuilibër në informim. Neve nuk na jepet mundësia për zërin alternativ. Në televizionin publik, për shembull, hapësira është shumë e reduktuar. Ne besojmë se protesta do të ketë përkrahje të gjerë, pasi ajo nuk i bën dëm Kosovës dhe nuk është thirrur për të thyer xhama, por për të arritur qëllimet”, deklaroi Haradinaj.

Haradinaj nuk la pa komentuar edhe deklaratat e kryeministrit Isa Mustafa, se pushteti nuk merret me protesta por me vota.

“Do të ishte me rëndësi që Mustafa dhe kolegët e tij në qeveri të kundërshtonin protestën me ndonjë rezultat të arritur në qeverisje. Nuk mjafton fakti që ke marrë votën, sepse atë votë e ke marrë për të mbaruar disa punë. Të rrisësh pagat për shembull, që është premtuar, të hapësh vende pune, apo të ndalësh korrupsionin. Pra, kryeministri bën gabim sepse edhe ne kemi marrë vota”, tha Haradinaj.

Lideri i Aleancës i bëri këto komente pas takimit me zëvendëspresidentin e Parlamentit Evropian, Rainer Wieland. Nga ana e tij Wieland tha se Kosova ka ende shumë sfida përpara, ndërsa inkurajoi politikanët kosovarë që të jenë më të përkushtuar.

“Ka ende shumë gjëra për t’u bërë dhe është ende një rrugë e gjatë përpara. Me shumë gjasa, ju dhe populli juaj keni nevojë për pasion dhe kurajo, kurajo për të bërë gjëra të reja, por edhe politikat në situata të vështira nuk mund të ndryshojnë me një të rënë të lapsit”, deklaroi Wieland.

Gjatë qëndrimit në Prishtinë, numri dy i PE ka takuar edhe përfaqësues të institucioneve kosovare dhe të subjekteve të tjera politike.

Top Channel