Gratë e ISIS, të mbuluara kokë e këmbë dhe me kallashnikov në sup

11/04/2015 00:00

Janë të mbuluara nga koka tek këmbët, çka e bën të vështirë të identifikohen. Me kallashnikovët që u varen në sup i drejtohen një poligoni të improvizuar 60 km në dalje të Alepos, në Siri.

Nikabi ua vështirëson lëvizjet, por ato janë të vendosura të bëjnë ç’është e mundur për të qenë pjesë e denjë e strukturës ushtarake të Shtetit Islamik.

Mediat e huaja i quajnë “Gratë e ISIS”. Disa filmime të hedhura në Youtube janë dëshmia më e fundit e faktit se grupi ekstremist angazhon edhe femrat në luftime.

Në video ato shfaqen të rreshtuara në një formacion të ngjashëm me atë ushtarak dhe, të veshura me atlete të bardha ose me sandale, i drejtohen zonës së stërvitjes.

Gjatë marshimit ato përsërisin me zë të lartë parulla fetare, duke lartësuar Shtetin Islamik e duke ritheksuar përkushtimin e tyre ndaj xhihadit.

Sipas Qendrës ndërkombëtare për studimin e ekstremizmit në Kolegjin Mbretëror të Londrës, një grup prej të paktën 30 femrash me shtetësi britanike është vendosur tashmë në një bazë të përhershme në veri të Sirisë.

Shumica e grave xhihadiste britanike jetojnë në qytezën Manbixh të provincës së Alepos, ose në kryeqytetin de fakto të ISIS, Raka.

Top Channel