Pasojat e tornados në Illinois, skuadrat e shpëtimit kërkojnë të mbijetuar

11/04/2015 00:00

Skuadra shpëtimi që kërkojnë nëpër gërmadha për të mbijetuar, specialistë që përpiqen të rivendosin rrjetin e dëmtuar të energjisë elektrike, njerëz të tronditur e të çorientuar dhe dhjetëra shtëpi të rrënuara.

Pas kalimit të tornados së dhunshëm mbrëmjen e së enjtes, lokaliteti Feirdejl në veri të Ilinoisit i ngjan një qyteti fantazmë.

Shërbimi meteorologjik kombëtar e vendosi vorbullën e fuqishme të ajrit në nivelin EF-4, me erëra që arrinin shpejtësinë prej 300 kilometra në orë.

“Në qytet mbizotëron një shkatërrim total. Patëm vështirësi të hynim edhe në rrugën kryesore. Një e treta e banesave janë rrafshuar krejtesisht”, thotë Chad Connell, shef i Departamentit të Zjarrfikësve.

Ndërsa një banor i zonës, 26-vjeçari Taylor Strehl tregon momentet e tmerrit kur tornadoja kaloi pranë shtëpisë së tij.

“Zhurma ishte shurdhuese, dukej sikur aty afër gjëmonin motorët e një avioni. E gjithë shtëpia nisi të tundej dhe nuk është çudi që nuk e përballoi dot atë forcë të pabesueshme”, tregon Strehl.

Pas kalimit të tornados, shumë nga banorët janë dërguar në streha të përkohshme, ndërsa ekipet e emergjencës po kërkojnë nëpër banesa e struktura të tjera nëse ka të mbijetuar nën rrënoja.

Me përfundimin e operacionit të kërkim-shpëtimit do të nisë puna për rindërtimin e rrugëve dhe ndërtesave, proces ky që sipas zyrtarëve lokalë do të kërkojë kohë të gjatë.

Top Channel