Shfrytëzimi i të miturve, përpjekje për aplikimin e ligjit penal

11/04/2015 00:00

Kur një fëmijë të zgjat dorën për të lëmoshë, nuk është vetëm një problem social Pikërisht se kanë nxitur minorenët që të dalin në rrugë për lypje, tetë persona janë aktualisht nën hetim për veprën e “keqtrajtim të të miturit”, ndërkohë që për tre të tjerë ka përfunduar gjykimi ku edhe janë shpallur fajtorë.

Fatmir Jonuzi është një ndër ata prindër që akuzohet të ketë nxjerrë dy vajzat e tij të vogla në rrugë, për të cilat Prokuroria i referohet raport të shërbimit të policisë që tregon çastet kur lypnin.
    
E ndërsa secili nga të pandehurit kërkon mëshirë për kushtet e vështira  ekonomike, dy persona ndodhen aktualisht në burg me nga 16 muaj burgim për këtë vepër. Megjithatë gjykata penale për të gjithë ata ka argumentuar se janë kushtet ekonomike që i kanë detyruar që të nxjerrin fëmijët për të lypur.

Në vendimin e fajësisë kundër shtetases Linda Dalipi, e dënuar me 6 muaj burg, por që për t’u qëndruar fëmijëve pranë i është konvertuar dënimi me 18 muaj shërbim prove,  gjykata thekson se e akuzuara është nënë e katër fëmijëve, është e papunë dhe po i rrit e vetme dhe pa ndihmë fëmijët .

“Isha me nënën dhe tri motrat tek Stacioni i Trenit. Një shofer zgjati dorën dhe më dha 100 lekë, ndërsa motrës një shofere femër i dha 500 lekë. Ata na i dhanë me dëshirën e tyre. Ne nuk lypëm. Edhe nëna del ndonjëherë për të lypur. Ne dalim herë të shoqëruar nga nëna dhe herë jo. Lekët që fitojmë ja japim nënës të na blejë bukë”, thuhet në dëshminë e famijës 4-vjeçar me inicialet Sh. D.

Pavarësisht se prokuroia e policia po përpiqen të aplikojnë për herë të parë ligjin penal për shfytëzimin e fëmijëve, që ndodh çdo ditë para syve tanë, situata vijon të jetë sërish e njëjtë, çka do të thotë se përpara angazhimit të këtyre institucioneve, duhet një investim së pari nga shërbimet sociale.

Top Channel