Pashkët Ortodokse, kremtime në mbarë vendin

11/04/2015 00:00

Besimtarët ortodoksë të Durrësit morën pjesë në ceremoninë solemne të shëtitjes së Epitafit të Krishtit në qytet. Ky rit fetar organizohet në mbrëmjen e së premtes, një dite zie, kreshme dhe lutjeje e besimtarëve për kryqëzimin e Krishtit.

Nën tingujt liturgjike, Epitafi përshkoi rrugën nga Kisha e Shën Pavlit dhe Shën Astit në qendrën e qytetit, para bashkisë dhe pas kalimit nëpër Rrugën e Tregtarëve u kthye në kishë për të pritur atje besimtarët natën e Pashkëve, që sjell gëzimin e ringjalljes së Jezusit, tri ditë pas vdekjes së tij dhe fillimin e triumfit të jetës mbi vdekjen përmes premtimit të jetës pas saj.

Edhe në Korçë qindra qytetarë dhe besimtarë ortodoksë kremtuan të Premten e Zezë. Si çdo vit, në mbrëmje të kësaj dite u zhvillua edhe procesioni i varrimit të Krishtit. A

shtu siç është kthyer në traditë, mijëra besimtarë të besimeve të ndryshme u bashkuan duke ndjekur kortezhin në bulevardin kryesor të qytetit.

Në sfondin e një muzikë funebre, aktiviteteve u parapriu mbajtja e meshës, ndërsa më tej qytetarët parakaluan nga njëra kishë në tjetrën për të bashkuar epitafet e 7 kishave në qendër të qytetit, tek sheshi para Katedrales Ngjallja e Krishtit.

Mandej ata ndoqën edhe ritualin e pervitshëm, kalimin nën epitaf, ndërsa u lutën për më shumë paqe dhe dashuri.

Edhe në Berat besimtarët ortodoksë kremtuan të Premten e Zezë. Rituali i përvitshëm në qytetin e harmonisë fetare u ndoq nga qindra qytetarë, pavarsisht besimit të tyre.

Ritet fetare të kësaj dite nisën në Katedralen e Shën Dhimitrit dhe u drejtuan nga kreu i Metropolisë së Beratit, Kaninës dhe gjithë jugut, Imzot Ignati.

Qindra qytetarë beratas përshkuan bulevardin e qytetit, ndërkohë që kori i kishës shoqëroi me këngë kishtare këtë rrugëtim, që simbolizon vuajtjen e Jezu Krishtit në kryq.

Top Channel