Aleanca me PS, Topi: Po diskutojmë për kandidatët

11/04/2015 00:00

Kreu i FRD-së, Bamir Topi ka deklaruar nga Korça se në kuadër të bashkëpunimit me PS për zgjedhjet vendore janë duke u diskutuar ende kandidaturat.

Pasi renditi arsyet pse kjo parti e djathtë u bë pjesë e kampit të majtë, Topi u ndal edhe tek çështja e shumëpërfolur e dekriminalizimit të Parlamentit.

Sipas tij, situata në këtë institucion është shqetësuese dhe e ka zanafillën tek Kodi Zgjedhor i mëparshëm, mbi bazën e të cilit është ndërtuar ky Parlament.

“Ne jemi në negociata. I jemi përgjigjur një ftese të kryeministrit, por asgjë nuk ka përfunduar. Kemi hyrë në negociata për të demonstruar parimet e forta të partisë sonë, që është funksionimi normal i shtetit dhe i institucioneve. Pavarësisht nga programi, ne mbetemi parti e qendrës së djathtë. Por ka elementë që na orientojnë drejt bashkëpunimit për gjëra të rëndësishme siç është shteti. Sepse shteti është më i rëndësishëm se pushteti. Pastaj, në vijim, nëse do gjejmë mundësi komunikimi dhe bashkëpunimi edhe për ndryshimin e elementëve të caktuar të Kushtetutës dhe Kodit Zgjedhor, pse jo. Këto janë zgjedhje administrative dhe ne e kemi theksuar se pushteti vendor duhet të jetë larg asaj politike të sofistikuar”, deklaroi Topi.

Kreu i FRD-së ishte në qytetin e Korçës pasi mori pjesë në një takim për zgjedhjen e kreut të degës së kësaj partie.

Top Channel