Korpusi i Vullnetarëve nis pastrimin e zonave turistike

11/04/2015 00:00

Pak javë para se të nisë zyrtarisht hapja e sezonit turistik, Korpusi shqiptar i Vullnetarëve ka nisur aksionin i cili do të shtrihet në të gjithë vendin, nga zona e Spillesë në Kavajë.

Mbi 250 vullnetarë nga Tirana por edhe nga zonat lokale i janë bashkuar kësaj nisme duke pastruar nga mbetjet rreth 5 kilometra vijë bregdetare, e cila do të zhvillohet çdo fundjavë dhe do të shtrihet nga Orikumi në Velipojë.

Korpusit të Vullnetarëve i janë bashkuar edhe drejtuesit e Ministrisë së Mjedisit dhe asaj të Zhvillimit Ekonomik.

“I shpreh mirënjohjen e Korpusit qeverisë shqiptare. Nuk është viti i parë i kontributit që ata kanë dhënë për pastrimin e territorit, kryesisht atij bregdetar. Unë besoj se shumë shpejt pranë qeverisë ne do të bëjmë kërkesën për t’u krijuar kushtet e domosdoshme këtyre vullnetarëve”, tha ministri Lefter Koka.

“Është më shumë për t’i bërë qytetarët e ndërgjegjshëm që turizmi në Shqipëri duhet të jetë thelbi i zhvillimit ekonomik. Por nuk mund të kemi turizëm pa plazhe të pastra. Gjëja e parë që mund t’u kapë syri turistëve të huaj apo vendas janë pisllëqet e plazhit”, tha Arben Ahmetaj.

Drejtuesi i Korpusit të Vullnetarëve, Mentori Kikia ka kërkuar që qytetarët por edhe drejtuesit e rinj që do të zgjidhen të kenë prioritet mirëmenaxhimin e mbetjeve dhe ndalimin e hedhjes së tyre përgjatë shtretërve të lumenjve.

“Të marrim seriozisht në konsideratë çështjen e menaxhimit të mbetjeve, pasi bregdeti vuan më shumë mungesën e investimeve dhe edukatës qytetare se pjesët e tjera të Shqipërisë”, tha Kikia.

Për orë të tëra, në këtë aksion të parë për këtë vit, vullnetarët kanë bërë mbledhjen e diferencuar të mbeturinave. “Kjo shoqatë është një mundësi e madhe për t’i ofruar vendit një komoditet, pasi me afrimin e sezonit turistik lind nevoja për t’u ofruar turistëve një komoditet sa më të madh”, tha një prej vullnetarëve.

Çdo fundjave Korpusi i Vullnetarëve do të zhvillojë aksione që do të shtrihen nga Velipoja deri në Orikum. Korpusi është një lëvizje e reagimit, protestës qytetare ndaj të gjithë atyre, individë apo institucione, që ndotin ambjentin dhe jetën e gjithësecilit prej nesh.

Top Channel