Egjipt, dënim me vdekje kreut të Vëllazërisë Myslimane

11/04/2015 00:00

Një gjykatë në Egjipt ka konfirmuar dënimin me vdekje për një lider të fraksionit Vëllazëria Myslimane, Mohammed Badie dhe 13 anëtarëve të grupit për planifikim të sulmeve kundër shtetit.

Gjykata ka dënuar gjithashtu me burgim të përjetshëm një shtetas egjiptiano-amerikan dhe 36 persona të tjerë.

I pandehuri kryesor i procesit, Badie, ishte dënuar në mars, ndërkohë që rezulton i përfshirë në rreth 40 procese të tjera gjyqësore. Vendimet e dhëna këtë të shtunë mund të apelohen.

Disa qindra persona janë dënuar me vdekje në kuadër të një ofensive që po u bëhet anëtarëve të Vëllazërisë Myslimane, që pas rrëzimit nga pushteti të presidentit Mohammed Morsi në vitin 2013. Megjithatë, deri tani asnjë dënim kapital nuk është ekzekutuar.

Dënimet janë faza finale e një procesi që pa liderët e fraksionit islamik të akuzoheshin bashkë me anëtarët e tjerë të grupit për përballje të armatosur me shtetin dhe për përhapjen e kaosit, akuza këto të lidhura me protestat e dy viteve më parë.

Ato u dhanë pas një këshille të ardhur nga autoriteti më i lartë ligjor islamik i Egjiptit, Myftiu i Madh. Mohammed Badie ishte dënuar edhe vitin e kaluar për një seri sulmesh ndaj disa komisariateve të policisë në provincën jugore të Minias.

Por vendimi më pas u hodh poshtë pasi u urdhërua përsëritja e gjyqit. Ndërsa shtetasi egjiptiano-amerikan, Mohamed Soltan u dënua me burgim të përjetshëm për mbështetje të Vëllazërisë dhe për përhapje të informacioneve të rreme.

Top Channel